Ndërsa edhe pak dhe futemi në fazën e nxehtë të fushatës elektorale, deputeti Lefter Koka, ish-futbollist i Lokomotivës së Durrësit ka mbledhur në një drekë festive disa nga figurat më të njohura të futbollit durrsak, që me karrierën e tyre kanë lënë gjurmë edhe në kombëtaren shqiptare.

Maksut Leshteni, vëllezërit Ballgjini, Niko Jani, Lutfi Sejdini kanë qenë ndër të ftuarit e sotëm të deputetit Koka.

Një miqësi mes ish-futbollistësh që zgjat prej shumë vitesh, por njëkohësisht edhe personalitete që siç shprehet vetë Koka, e kanë mbështetur në jetën e tij politike.

“Me të shtrenjtët miqtë e mi, e mbase më shumë të vetë durrsakëve !

Me udhërrëfyesit e pandarë të jetës sime dhe me zonjat e tyre, Maksut Leshteni,Shyqyri Ballgjini ,Agim Likmeta, Agim Çela, Haxhi Ballgjini, Lutfi Sejdini,Niko Jani e Ardian Abazi.

Të çmuar për mua në mardhënien tonë njerëzore prej dekadash dhe të pandarë në mbështetjen që më japin në jetën time politike.

Familje me vlera dhe kontribut të vyer për zhvillimin e komunitetit e qytetit tone”,– shkruan Koka në rrjete sociale.

Megjithëse mandatin aktual parlamentar, Koka e pati fituar në vitin 2017 nën siglën e LSI-së, ai u nda me këtë parti në shkurt të vitit 2019, kur nuk pranoi të dorëzonte mandatin e deputetit.

Ish-kryebashkiaku është rikthyer vitin e fundit në PS, parti me të cilën nisi karrierën politike. Koka përflitet se do të jetë pjesë e listës së kandidatëve për deputetë në qarkun e Durrësit, ndërkohë që pak javë më parë u bë virale videoja ku ai shfaqej në krah të kryeministrit Rama ndërsa ftonin Nasip Naçon t’i bashkohej PS-së.  

Me të shtrenjtët miqtë e mi, e mbase më shumë të vetë durrsakëve ! Me udhërrëfyesit e pandarë të jetës sime dhe me…

Posted by Lefter Koka on Saturday, January 30, 2021