Humbja e një prindi është gjithmonë e vështirë për t’u pranuar dhe mësuar.

Edhe pse ka kaluar plot çerek shekulli nga ndarja nga jeta e të atit, Hakiut, për deputetin e Durrësit Lefter Koka mungesa e tij është e pazëvendësueshme.

Edhe pse tashmë vetë prind i tre fëmijëve të rritur, Koka, përmes një mesazhi të ndjerë në rrjete sociale shkruan: “Kthej kokën pas dhe sot si prind, si bashkëshort kuptoj sa shumë dua të ndaj me ty Haki, sa shumë dua të më tregosh rrugën”.

“Nuk ka ditë të mos kem mall për ty!”,- vijon më tek Koka, ndërsa kërkon bekimin e të atit, pasi e gjithë familja ka nevojë për të.

Postimi i plotë i deputetit Koka:

25 vite pa tim atë sot.
25 vite që kërkoj të ndaj me Hakiun rrugëtimin tim, të mamasë e familjes tonë.
Kthej kokën pas dhe sot si prind, si bashkëshort kuptoj sa shumë dua të ndaj me ty Haki, sa shumë dua të më tregosh rrugën. Për fëmijët Arbin, Rinën e Anën, për rrugën e tyre dhe ëndrrën tënde, që ne fëmijët e tu të ndërtonim familje të shëndosha e rrisnim fëmijë të lirë, të ndershëm dhe të drejtë.
Më mungon shpirti yt i rrallë, më mungon heshtja jote, po aq sa fjala jote. Nuk ka ditë të mos kem mall për ty!
Na beko nga lart Haki, kemi nevojë për ty.