15 nëntor 2013- Ministri i Mjedisit, Lefter Koka ka deklaruar gjatë një interviste se kryeministri Rama transmetoi përgjegjshmëri, gjithashtu mori përgjegjshmëri edhe kur dëgjoi zërin e qytetarëve, në lidhje me armët kimike.

“Kryeministri me përgjegjshmërinë më të madhe, rreth dy javë më parë na bëri të njohur në mbledhje qeverie, se ishte në fazë bisedimesh me SHBA-në. Personi i cili mund të diskutonte ishte vetëm kryeministri. Duke qenë pjesë e NATO-s apo kur nesër të jemi edhe e Evropës kemi detyrime. Unë besoj që kryeministri Rama transmetoi përgjegjshmëri, gjithashtu mori përgjegjshmëri edhe kur dëgjoi zërin e qytetarëve, i cili në të shumtën e saj ishte i keq informuar. Para se të mbërrinin lëndët kimike do vinin mjetet bashkë me specialistët amerikanë, ne do asistonim, të gjithë procesin do ta bënin ata, një fazë e demontimit ka ndodhur në Rusi, këtu do vinin lëndë jo armët.

Gjërat kanë qenë të transmetuara qartë edhe nga kreu i Kuvendit, Meta, i cili theksoi se asgjë nuk ishte në dëm të interesave të shqiptarëve. Operacioni do të kërkonte një siguri maksimale. Ju garantoj që bisedat nuk janë bërë vetëm me Shqipërinë, por edhe me Norvegjinë, me Belgjikën. Unë di të them ne sot kemi një maxhorancë me solide, ajo që ndodhi është për tu vlerësuar, dhe që politika nuk e instrumentalizoi këtë proces”, u shpreh Koka.