Nga Durrësi, Ministri i Mjedisit Lefter Koka ka kritikuar mazhorancën për përhapjen e fenomenit të kanabisit në Shqipëri.
“Aktorë të rëndësishëm të forcës sonë politike si dhe Ministrat tanë, kanë ngritur publikisht shqetësimin e kultivimit të hashashit. Nuk ishte misioni ynë të gjelbëronim Shqipërinë në këtë mënyrë. Misioni ynë ishte ta gjelbëronim Shqipërinë me pyje”, u shpreh Koka, kandidati që kryeson listën e LSI-së për deputet në qarkun e Durrësit.
Ministri Koka u ndal dhe në situatën politike, të cilën e konsideroi absurde. “Sot kemi situatën e një opozite të frikësuar”, – tha ministri – duke u shprehur se në zgjedhjet e 18 qershorit do të dëshironte të shihte çdo aktor në lojë.
Ai theksoi se është shumë e rëndësishme, veçanërisht për të personalisht që LSI sot hyn e vetme në zgjedhje.
“Kjo është ajo që gjithmonë kam dëshiruar, që ne të dalim të vetëm në zgjedhje. Që unë të përballesha nën logon e LSI me këdo forcë politike në Durrës”, theksoi Koka.
Koka mbajti një takim me banorët e lagjes numër 2 të qytetit bregdetar ku prezantoi edhe disa nga kandidatët për deputet në këtë qark, Nora Malaj, Arb Shtylla, Edlira Hyseni, Ferdoza Izvira, Eneo Hasa dhe Arjola Koçi.





