Tiranë, 30 korrik 2014  – Gjatë analizës së 300 ditëve të ALUIZNI-t, kreu i këtij institucioni, Artan Lame theksoi se 45 mijë dosje të paguara për legalizim duhet të rishikohen, ashtu si dhe pjesa dërrmuese e rreth 60.000 kalimesh pronësie të kryera gjatë këtyre viteve.

Sipas tij, ALUIZNI në bashkëpunim me ZRPP-në kanë rikthyer për rishqyrtim të gjitha lejet e legalizimit të dhëna në periudhën 01.01.2013-02.10.2013 dhe që nuk ishin regjistruar ende në ZRPP, ndërsa janë përjashtuar nga procedura e legalizimit 260 objekte.

Deri tani janë kryer procedura përjashtimi nga legalizimi dhe skualifikime për rreth 260 objekte. Sipas Lames, borxhi i trashëguar është 106.000.000 lekë, ndërsa janë rreth 60.000 kalime pronësie, shumica e të cilëve duhen ribërë.

Lame gjithashtu u shpreh se janë ulur ndërtimet pa leje në zonat informale, por denoncoi rritjen e atyre, që ai i quajti objekte me leje të kundraligjshme. Këto objekte, sipas kreut të ALUIZNI-t, po ndërtohen me leje të pushtetit vendor, si në rastin e Bashkisë së Tiranës, apo zonave turistike, në vende ku nuk lejohet të kryhen ndërtime. 

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/