Gjashtë vjet nga krijimi i Agjensisë së Legalizimit, Informalizimit,dhe Urbanizimit të Ndërtimeve pa leje, ky proces ka ecur me ritmet “e breshkës”. Nga 2006, vit kur nisi procesi i vetëdeklarimit dhe ALUIZNI mblodhi në dosje të veçanta, të gjitha ndërtimet e kryera pa leje nga banorët të cilët mbërritën prej të katër anëve të Shqipërisë drejt qendrave të mëdha urbane, vetëm një numër shumë i vogël banorësh kanë në duar certifikatat e pronësisë. Legalizimi i banesave është shumë larg mbylljes, dhe me këtë ritëm do të duhen edhe disa vjet të tjerë. Në një krah qëndrojnë procedurat e shumta që kryhen, dhe në krahun tjetër indiferenca e banorëve për të paguar detyrimet, tarifat e përcaktuara me ligj, për t’u bërë pronarë të banesave të tyre.
Shifrat
Zyrtarisht nga Agjencia e Legalizimeve në Durrës bëhet me dije se në Qarkun e Durrësit kanë aplikuar për legalizim të ndërtimeve informale apo të shtesave pa leje në ndërtime me leje 37.753 subjekte. Këto janë të ndarë për Bashkinë e Durrësit 20.228, aplikime dhe për komuna dhe bashki të Qarkut Durrës 17. 525 aplikime. Deri në këto momente, ALUIZNI Durrës ka përfunduar fazën e miratimit të kalimit të pronësisë me Vendim të Këshillit të Ministrave për 10.509 objekte informale dhe ndërtime shtese pa leje, kryesisht në zonën e ish-kënetës dhe për ndërtimet pa leje në qytet, por edhe këtu, “pronarët e rinj”, nuk kanë paguar detyrimet sipas ligjit në kohë, çka e ka bërë këtë proces të zvarritet në kohë, dhe të mbetet ende i pafinalizuar.
37.753 subjekte kanë aplikuar për legalizim të ndërtimeve informale apo të shtesave pa leje në ndërtime me leje në Qarkun e Durrësit
20.228 aplikime janë paraqitur gjithsej që nga viti 2006 për legalizim për ndërtime informale në territorin e Bashkisë së Durrësit
10.509 objekte informale dhe ndërtime shtese pa leje janë legalizuar deri tani në nivel qarku, kryesisht në zonën e ish-kënetës dhe qytet
350 ish-pronarë presin të dëmshpërblehen si pasojë e legalizimit të objekteve të ndërtuara pa leje mbi tokën e tyre, kryesisht në plazh
Problematika
Problemet janë nga më të ndryshmet, ALUIZNI ka një numër të vogël specialistësh, nga ana tjetër problemet me dëmshpërblimin e ish-pronarëve dhe legalizimet e objekteve pa leje kanë shkaktuar kontradikta midis subjekteve përfitues. Situata është kaotike, sepse nga viti në vit kanë ndryshuar ligjet për ALUIZNIN, ndërsa ligji më i fundit i cili i jep kompetencën agjencive rajonale për të vendosur mbi kualifikimin dhe vlerësimin e dosjeve, të cilat deri tani ishin bërë me vendim qeverie. Ligji i miratuar këtë javë nga Qeveria është parë si një dritë jeshile për Agjencitë Rajonale të Legalizimeve të cilat dosjet i dërgonin në Drejtorinë e Përgjithshme e më andej ishte Vendimi i Këshillit të Ministrave që i hapte rrugë procesit për zonat që përfshiheshin në legalizim. I emëruar vetëm dy muaj më parë në krye të Agjencisë së Legalizimeve në Durrës, Erion Jakova për “Dyrrah” deklaron se banorët nuk mund të marrin certifikatën e pronësisë, pa përmbushur të gjitha detyrimet financiare të tyre. Legalizimet kanë ecur me ritme të larta në drejtim të mbylljes së procedurale për dosjet, por pa u mbyllur pagesa, banorët nuk mund të marrin certifikatat e pronësisë. Ndërkaq problematike është situata edhe për sa i përket dëmshpërblimit të ish-pronarëve. Në 10 mijë kalime pronësie duhet të dëmshpërblehen mbi 350 ish-pronarë, të vjetër, dhe pronarë që kanë përfituar nga ligji 7501 dhe evidente kjo situatë është në zonën e plazhit.
Banorët
Specialistët e ALUIZNI-t sqarojnë se banorët e zonave informale, mbajnë qëndrime të ndryshme në një situatë të tillë. Në një krah qëndrojnë ata që janë indiferentë ndaj procesit të legalizimit dhe pasjes së certifikatës së pronësisë, dhe në krahun tjetër janë subjektet që kërkojnë të paguajnë detyrimet, sipas ligjit për t’u bërë pronarë të ndërtimeve të tyre. Nga ankesat e banorëve që shkojnë në këtë Agjenci, vërehet se pjesa më e madhe e të interesuarve janë pikërisht ata banorë që disponojnë letra me vlerë dhe kërkojnë të kryejnë procedurat e pagesave për t’u pajisur me certifikatën e pronësisë, por edhe banorët të cilët kanë ndërtuar në zonën turistike të plazhit, apo ata që kanë ndërtuar mbi prona ish-pronarësh në zonat turistike. Janë kategoria e cila kërkojnë që t’i japin vlerë pronës së tyre, por që më së shumti mbeten pa përgjigje, sepse legalizimet shtrihen në ato zona të miratuara me VKM. Pjesa tjetër e banorëve, të cilët kanë ndërtuar në zonën e ish-kënetës apo zona të tjera informale, në pronë shtetërore, si në Shkozet dhe në Spitallë nuk tregojnë aspak interes për të paguar tarifat e legalizimit.
Pengesat nga qytetarët
Drejtori rajonal i ALUIZNI-t, Ernest Jakova sqaron se subjektet që janë në proces legalizimi duhet të kryejnë detyrimet bazë të paketës financiare të parashikuara në ligjin e legalizimeve që janë: tarifa e shërbimit, e cila është në vlerën 4000 lekë për çdo kat të ndërtimit informal të vetëdeklaruar për legalizim dhe taksa e ndikimit në infrastrukturë, e cila është në masën 0.5 % të vlerës së ndërtimit. Njëkohësisht duhet kryer edhe pagesa e parcelës ndërtimore që legalizohet. Jakova shpjegon se në shumë raste janë vetë qytetarët që e pengojnë këtë proces. “Numri i formularëve te pagesave financiare të shpërndara është shumë më i madh se sa numri i pagesave të kryera. Pra në këtë kontekst, në disa raste pengesë bëhen edhe vetë qytetarët te cilët nuk u përgjigjen detyrimeve financiare”. Jakova shton se shqetësim tjetër është rasti i qytetarëve për të cilët është përgatitur e gjithë paketa financiare, por për faktin se subjektet nuk banojnë në Shqipëri, kanë mbetur detyrime te palikuiduara, duke bërë te pamundur vazhdimin e procesit për objektet e tyre. “Një vështirësi evidente haset edhe në rastin e objekteve në bashkëpronësi, kryesisht shtesat pa leje të pallateve, ku njëra nga familjet nuk pranon të likuidojë detyrimet përkatëse financiare duke u bërë kështu pengesë serioze në radhë të parë për familjet e tjera, banorë te pallatit, të cilët kanë paguar dhe nuk kanë pse penalizohen në vonesa në këtë rast, dhe së dyti duke u bërë pengesë serioze në procesin e legalizimit të një objekti i cili praktikisht është kualifikuar nga ana jonë për legalizim”.
KËSHILLI I MINISTRAVE
Agjencitë Rajonale vendosin për legalizimin e objekteve
Këtë javë Këshilli i Ministrave vendosi ndryshimin e ligjit “Për Kriteret, Procedurat dhe tipin e formularit të lejes së legalizimit”. Ndryshimet kanë të bëjnë më së shumti me kualifikimin apo përjashtimin nga legalizimi, si dhe me afatet kohore që duhet të ndjekin si personat e interesuar, për të bërë ankimet, ashtu si dhe afatet kohore që i nevojiten Aluizni-t për të shqyrtuar dhe sqaruar pretendimet e të interesuarve. Kështu, lidhur me ligjin “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, në pikën 2 të vendimit nr.411 bëhet ndryshimi i mëposhtëm: “Drejtoritë e ALUIZNI-t pranë qarqeve, pas verifikimit të dokumentacionit dhe vlerësimit të përmbushjes ose jo të kushteve të përmendura në pikën 1 të këtij vendimi, për objektin informal shtesën pa leje në ndërtime me leje, vendosin kualifikimin për legalizim ose përjashtimin nga legalizimi. Vendimi, i cili shoqërohet me aktin përkatës, të argumentuar, administrohet si pjesë përbërëse e dosjes së legalizimit”. Vendimi i ndryshuar specifikon se Drejtoritë e Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave Ndërtimeve Informale, ALUIZNI-t pranë qarqeve, brenda 30 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, të përfundojnë shqyrtimin, verifikimin e kërkesave, dokumentacionit të depozituar për legalizim për objektet informale, shtesat pa leje në ndërtime me leje dhe, në bazë të vlerësimit të përmbushjes ose jo të kushteve të kër-kuara. Në pikën 3 bëhen shtesat dhe ndryshimi, e mëposhtme: Në fund të shkronjës “a”, që në vendimin aktual është “për objektin, shtesën pa leje në ndërtime me leje është kryer vetëdeklarimi vullnetar brenda afatit ligjor” shtohen fjalët “ …dhe të atyre që përjashtohen nga legalizimi”. Shkronja dhe e po kësaj pike ndryshohet si më poshtë: Brenda 30 ditëve nga data e shlyerjes së pagesës sipas shkronjës “ç” të pikës 1, të këtij vendimi, lëshojnë dhe e pajisin subjektin me leje legalizimi për objektin informal, shtesën pa leje në ndërtime me leje”. Në ndryshimet e bëra në pikën 4 të vendimit specifikohet se Poseduesit e objektit ose subjektet e interesuara, brenda një muaji nga data e publikimit të listës emërore, të përmendur në pikën 3 të këtij vendimi, mund të bëjnë ankim administrativ në Drejtorinë Qendrore të ALUIZNI-t ndaj vendimit, lejes përkatëse të drejtorisë së ALUIZNI-t pranë qarqeve sipas procedurës së përcaktuar në ligjin nr.8485, “Kodi i Procedurave Administrative të Republikës së Shqipërisë”. Në fund të pikës 6 shtohet një fjali, me këtë përmbajtje: “Brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e marrjes së njoftimit, poseduesi mund të ankohet ndaj vendimit të përjashtimit në Drejtorinë Qendrore të ALUIZNI-t”.
Tarifat aktuale:
Tarifa e shërbimit për legalizimin e objekteve pa leje, shtesave informale në ndërtime me leje, është në vlerën 4 000 (katër mijë) lekë, për çdo kat të objektit pa leje, shtesës informale në ndërtime me leje.".
Pagesa e parcelës ndërtimore, për objektet informale me destinacion social-ekonomik dhe shtesat informale në ndërtime me leje, do të bëhet vetëm në lekë, në vlerë të plotë monetare.
Për objektet informale, me destinacion banimi apo të përzier, (banim dhe social-ekonomik), pagesa e vlerës së parcelës mund të bëhet në lekë, në vlerë të plotë monetare, dhe ose me bono privatizimi.
Në rastin kur pagesa kryhet me bono privatizimi, ajo duhet të paraprihet nga depozitimi i kërkesës me shkrim, të poseduesit të ndërtimit informal, pranë drejtorisë rajonale të ALUIZNI-t, ku të përcaktohet përqindja e pagesës me bono privatizimi.
Sanksionet për subjektet dhe ose shoqëritë ndërtuese që kanë kryer shtesa anësore ose shtesa në kate, për qëllim kalimi pronësie ose qiradhënieje, llogariten nga ALUIZNI, në përputhje me përcaktimet dhe përqindjet e përcaktuara n nenin 43, të ligjit nr. 9482.