Banorët e tre pallateve në Durrës janë pajisur me certifikatë pronësi ditën e sotme, të cilët kishin gati 20 vjet që prisnin.

Drejtori i Përgjithshëm i Kadastrës, Artan Lame tha se kjo vonesë është për shkak të ndërtuesve, ndërsa tha se procedura e legalizimeve të pallateve i ka kaluar Kadastrës së Durrësit në vitin 2019.

“Janë tre pallate, kanë gati nga 15-20 vjet që presin. Duket e tmerrshme që presin prej 20 vjetësh, por procedura e legalizimit të pallateve i ka kaluar Kadastrës vetëm në vitin 2019 dhe ajo që kemi kërkuar ne ka qenë gjithmonë bashkëpunimi me banorët atje ku subjektet nuk përgjigjen”, u shpreh Lame.

Lame ju ka bërë thirrje bashkive në përgjithësi, dhe në rastin konkret edhe asaj të Durrësit, që të mos japin më leje ndërtimi për investitorët që nuk e çojnë deri në fund procesin për hipotekimin e pallateve që ndërtojnë.

“Do i bëja një thirrje të fortë Bashkive në përgjithësi dhe konkretisht Bashkisë Durrës, që nuk mund të vazhdohet t’ ju jepen leje të reja ndërtimi subjekteve ndërtuese, kur kanë lënë pas vetes halle të tilla me qytetarët”- theksoi kreu i Kadastrës.