Teksa sot festojmë Krishtlindjet drejtori i Përgjithshëm i Kadastrës Artan Lame, i ka dhënë certifikatën e pronësisë një nga objekteve të kultit të Kishës Katolike, Kuvendit Karmelitan të Nënshatit.

Ky Kuvend ka qenë në mesjetë seli e Ipeshkvisë së Sapës, ndërsa në vitet e diktaturës komuniste ka shërbyer si vend internimi për familje të prekura politikisht.

Padre Marciani, frati Italian i këtij Manastiri teksa mori certifikatën e pronësisë tha:

“Për ne është ditë e veçantë se jemi në prag të festave, dhe ne jemi të sigurt për dokumentet e legalizimit të ndërtesave tona”, ndërsa shtoi  “u bëmë dhe ne me letra”.

Ndërkohë Lame tha se është absurde që edhe shtëpitë e zotit të kenë nevojë për leje dhe legalizim.

“Më duket absurde që edhe shtëpitë e zotit të kenë nevojë për leje dhe legalizim. Kjo është Shqipëria jonë që ka dhe marrëzi të tilla që edhe shtëpitë e zotit shteti nuk qe në gjendje t’i përgjigjej në kohë me dokumente ndërtimorë. Le të vëmë shtëpitë e zotit në rrugë të ligjit që të shërbejë për shqiptarët e tjerë”-tha Lame.