Itali, 5 shtator 2014 – Shteti italian do të prodhojë marijuanë për përdorim terapeutik. Do të jetë Ushtria Italiane, ajo e cila do ta kultivojë lëndën narkotike në stabilimentin kimik të Firences, i cili është krijuar për të prodhuar medikamente për ushtarët. Në ditët në vijim, ky stabiliment do të shtrijë aktivitetin e tij edhe në sektorin civil, duke prodhuar ilaçe, të cilat do të kenë në bazë të tyre kanabisin, i cili aktualisht do të importohet nga jashtë dhe më pas do të nisë kultivimi në vend. Për herë të parë Italia do të prodhojë medikamente farmaceutike me bazë kanabisi. Ato do të përdoren për të qetësuar dhimbjet e Sidës apo të sëmundjeve të shumta kancerogjene.

Fillimisht, propozimi nuk u mirëprit nga të gjithë në të njëjtën mënyrë. Ministri i Mbrojtjes italiane, Roberta Pinotti, kishte dhënë prej kohësh aprovimin dhe konfirmimin e tij, ndërsa ministri i Shëndetësisë, Beatrice Lorenzin, siç shkruan dhe La Stampa, ishte treguar më i rezervuar. Frika e kësaj ministrie ishte e lidhur me përhapjen dhe konsumin e gjerë të marijuanës, i shkaktuar në një të ardhme nga moskontrollimi i mirë i përdorimit të saj. Këto dyshime u venitën pas punës së përbashkët dhe komunikimeve të shumta me institutin farmakologjik ushtarak.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/