Brigitte Bardot, ikona e bukurisë evropiane, mbush sot 82 vjeç. Fama e saj nisi si një skandal dhe ashtu vijoi e gjithë karriera; asokohe ishte tabu për një aktore të famshme të lidhej, martohej, ndahej, martohej prapë, si një variant grua i Don Zhuan-it.

Koha kaloi dhe një grua nudo në ekran nuk përbënte më risi. Fenomeni Brigitte u zbeh por jo koncepti; adoleshentja bjonde, e guximshme, që meshkujt i sjell si të dojë, do të mishërohej përgjithmonë me imazhin e Brigitte Bardot.

Ajo ndryshoi stilin e grave në të gjithë botën. Kur të gjitha visheshin, grimoheshin dhe kriheshin si yjet e Hollivudit, Brigitte tregoi se për t’i bërë meshkujt për vete, nuk duhet buzëkuqi i fortë. Nuk e shtrëngonte veten me rrip mesi, sepse i duhej të ishte e lirë të kërcente.

Kështu, u kthye në një ikonë për stilin që vazhdon të frymëzojë edhe sot.