DURRËS, 20 tetor 2014 – Sipas legjendës- zambaku i bardhë ka lindur nga një pikë qumështi, e cila ra mbi tokë, teksa Hera po mëkonte me qumësht gjiri Herkulin. Në fakt, Herkuli ishte bir i paligjshëm i Zeusit dhe Alkmenës një grua e vdekshme, ndaj kryeperëndia pretendonte që ta ushqente me gji Hera, bashkëshortja e tij që të bëhej i pavdekshëm. Ndërsa Hera flinte, fëmijën e vendosën mbi gjoksin e saj; disa pika qumështi ranë në univers, duke krijuar kështu, “Rrugën e Qumështit”, disa pika të tjera ranë në tokë, ku çeli lulja që u quajt zambaku i bardhë.
Sipas Biblës, Zambaku i Pashkëve rritej në kopshtin e Gjetsemanit, aty ku Juda tradhtoi Jezusin. Sipas legjendës, zambaku i bardhë u shfaq në vendin ku Jezusi derdhi pika loti e djerse në çastet e fundit të jetës. Zambaku i Bardhë është simbol i pastërtisë së Zonjës së Bekuar Mari.
Tri ditë pas funeralit të Shën Marisë, kur njerëzit shkuan të vizitonin varrin e saj, thuhet se gjetën aty, një tufë të tërë me zambakë të bukur të bardhë.
Në një kontekst tjetër femëror, Liliumi (zambaku i bardhë) zinte një vend të rëndësishëm në Parajsën e Adamit dhe Evës. Teksa Eva largohej nga Kopshti i Edenit, derdhte lotë pendimi dhe pikërisht mbi këta lotë çelnin zambakë. Kjo lule gjithashtu u shërbente si shenjë mbrojtjeje dhe Kalorësve Templarë.
/g.b. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





