“Legjenda e Rozafës”, e rrëfyer me njëzet skulptura nga artisti Destan Gashi do të prezantohet këtë fundjavë në Vjenë.

Njëra prej skulpturave të skulptorit Gashi, “Legjenda e Rozafës”, e përbërë nga mermeri, mishëron të porsalindurin në gjirin e Rozafës.

Kjo vepër i ka dhënë edhe titullin kësaj ekspozite që do të çelet në galerinë Artefakt në Vjenë dhe do të qëndrojë e hapur deri më 11 prill. Sipas legjendës, gruaja e re Rozafa u muros e gjallë në muret e kështjellës së Shkodrës në Shqipërinë e veriut, sepse, meqë ngrehina rrëzohej vazhdimisht gjatë ndërtimit, duhej të flijohej një njeri.

Rozafa e pranoi fatin e saj, por dëshira e saj e fundit ishte që të mund t’i japë gji të sapolindurit edhe më pas, ç’ka edhe iu pranua. Në mur u la një e çarë aq e madhe sa t’i jepte gji foshnjës. Muret e ndërtesës tani qëndruan dhe kështjella mund të ndërtohej. Po ta vizitosh sot kështjellën e vjetër në periferi të Shkodrës, shikon të rrjedhë mbi mure një lëng i bardhë që përmban kalk.

Thuhet që janë lotët dhe qumështi i Rozafës që derdhet si dëshmi e një legjende të rrëfyer breza pas brezi. Në këtë ekspozitë skultori Gashi prezantohet dhe me ciklin “Kokë vajzash“. Skulptori Destan Gashi ka prejardhje nga Rahoveci. Ai është diplomuar në Akademinë e Arteve të Bukura në Bruksel, fillimisht në pikturë më 1978 dhe më vonë ka vazhduar studimet në degën e skulpturës.

Prej vitit 1987 jeton dhe krijon si skulptor i pavarur në Vjenë të Austrisë. Prej vitit 1985, Gashi ka pasur shumë ekspozita në galeri të ndryshme, nëpër kala, nëpër kopshte dhe nëpër muze në Austri dhe në shtete te tjera. Shumë vepra të tij gjenden nëpër koleksione private në Belgjike, Holandë, Itali, Austri, SHBA, Spanjë dhe Gjermani.

Për skulpturat e tij, Gashi është nderuar me disa çmime, përfshirë çmimet “Prix d´Excellence de la Ville de Bruxelles”, “Prix de Doutrelon de Try” dhe “Medaille de la ville de Bruxelles”.