Ish-kampioni i peshave të rënda të UFC-së, Cain Velasquez, është dënuar me pesë vjet burg për një incident me të shtëna që ndodhi në vitin 2022.Vendimi u mor nga gjyqtari Arthur Bocanegra i Gjykatës së Qarkut Santa Clara dhe Velasquez e pranoi vendimin pa u deklaruar fajtor ose i pafajshëm. Ky opsion ligjor i njohur si “pa kontest” i lejon atij të shmangë pranimin e fajit, por dënimi gjithsesi shqiptohet. Ai u përball me një dënim të gjatë, por iu dhanë pesë vjet. Edhe pse teorikisht ai mund të kishte përfunduar pas hekurave deri në 40 vjet ose të lirohej plotësisht nga akuzat, gjykatësi vendosi se dënimi ishte pesë vjet.

Zëvendës Prokurori i Qarkut, Aaron French, argumentoi për një dënim shumë më të ashpër, duke kërkuar nga 30 vjet deri në burgim të përjetshëm, ndërsa mbrojtja e Velasquez luftoi për sanksionin më të butë të mundshëm. Ish-kampioni i UFC-së u arrestua në mars 2022 pasi dyshohet se u përpoq të vriste një burrë që ai e akuzoi për abuzim seksual me fëmijën e tij. Sulmi ndodhi në një institucion për kujdesin e fëmijëve të drejtuar nga nëna e tij dhe i dyshuari tashmë kishte një histori krimesh të ngjashme.

Megjithatë, Velasquez nuk arriti të godiste personin që synonte – në vend të kësaj, plumbi përfundoi në trupin e njerkut të të dyshuarit. Ai qëlloi nga makina e tij drejt një automjeti tjetër, ku ndodheshin tre persona, përfshirë edhe objektivin e tij.Ndaj tij janë ngritur gjithsej dhjetë akuza, duke përfshirë vrasjen e mbetur në tentativë, të shtëna në një automjet, tre akuza për sulm me armë zjarri, tre të tjera për sulm me armë vdekjeprurëse, si dhe armëmbajtje pa leje me qëllim për të kryer një vepër penale.

Nëse dënohej për tentativë vrasjeje, Velasquez do të përballej me një dënim minimal prej 20 vitesh burg, deri në burgim të përjetshëm. Përveç kësaj, ai mund të ishte dënuar edhe për akuza të tjera.Para se të fillonte gjyqi, ish-luftëtari pranoi se kishte bërë një gabim, duke thënë se nuk duhej ta kishte marrë ligjin në dorë apo ta zgjidhte situatën me dhunë. Ai po ashtu ka theksuar se është i gatshëm të pranojë aktgjykimin që nxjerr gjykata. Shumë prisnin që ai të lirohej, veçanërisht pasi ai gëzonte mbështetje të madhe nga komuniteti i arteve marciale dhe publiku i gjerë.

Kur u lejua të mbrohej në liri, shumë ndjekës besuan se ai përfundimisht do të shmangte një dënim me burg.Megjithatë, gjykata vendosi ndryshe. Ai kishte vuajtur tashmë një pjesë të dënimit në paraburgim përpara se të lirohej me kusht për 1 milion dollarë, por tani do t’i duhet të kryejë pjesën tjetër pas hekurave.Velasquez la një gjurmë të thellë në UFC gjatë karrierës së tij dhe shumë tifozë të sporteve luftarake ende besojnë se në kulmin e tij ai ishte një nga peshat e rënda më dominuese të të gjitha kohërave, veçanërisht në luftimet e tij me Junior dos Santos.