Legjenda thotë: “Besohet se çdo shtëpi ka gjarprin e vet”.
Ndodh që gjatësia e tij të jetë mbi dy metra, por populli e quan “gjarpri i shtëpisë”.
Ata lëvizin apo ecin nëpër shtëpi lirisht dhe askush nuk guxon t’i ngacmojë, sepse thuhet se nëse e mbysim gjarprin, atëherë ai ndëshkon dhe në atë shtëpi ndodhin ngjarje të kobshme, u digjet shtëpia, mund të vdesë dikush prej anëtarëve të familjes, etj.
Është interesant të përmendet rasti i mbrojtjes nga magjia nëpërmjet kokës së gjarprit.
Vajzat e bukura dhe nuset, me qëllim mbrojtjen nga magjia, e mbartin në qafë dhe midis gjinjve kokën e gjarprit.
Në fakt, kur dikush rastësisht gjatë punës së përditshme në fushë mbyste ndonjë gjarpër, ia merrte kokën, të cilën sipas nevojës më vonë mund ta mbante një vajzë ose nuse e shtëpisë.
Koka e gjarprit e mbajtur në qafë ose midis kraharorit është një ritual i trashëguar që nga ilirët.
Ata besonin në forcën mbrojtëse të gjarprit.
Gjarpri edhe sot e kësaj dite tek shqiptarët konsiderohet si “roje i shtëpisë”.
Mendohet se secila shtëpi diku në themelet e saja e ka gjarprin e vetë i cili e mbron shtëpinë.
Prandaj kur ai paraqitet në oborrin e shtëpisë as nuk mbytet e as nuk ngacmohet, por lihet i qetë.
Pra, koka e gjarprit te shqiptarët ka pasur kuptimin e një objekti sigurie për individin dhe shtëpinë.