Edgar Çani largohet nga Karpi
23 janar 2014 – Edgar Çani nuk do të luajë në Itali për pjesën e dytë të sezonit. Lajmi është bërë i ditur nga mediat e këtij vendi, të cilat u referoheshin lëvizjeve në klubin e Karpit, ku sulmuesi është i huazuar. Së fundmi, drejtuesit e këtij klubi kanë marrë sulmuesin e Kievos, Ardemanjin, duke nxjerrë përfundimisht jashtë skuadre Çanin. “Firmos edhe Adermanji te Karpi, i cili tani do të largojë Çanin jashtë”, – thuhej në shkrimin e medias italiane. Sakaq, sulmuesi pritet të mos grumbullohet fare për miqësoren e radhës, e cila do të luhet më 5 mars. Sipas informacioneve, fakti që sulmuesi ka mbetur thuajse pa skuadër, e bën që të rrezikojë seriozisht edhe grumbullimin me kuqezinjtë.
Kaçe duartrokitet nga grekët për lojën e mirë
Nga ferri në parajsë. Kështu mund të konsiderohet rikthimi i Ergys Kaçes te PAOK-u. Rikthehet titullar dhe e bën këtë në
mënyrën më të mirë të mundshme, teksa lëviz, mbron, pason dhe bën gjithçka në mesfushën e bardhezinjve, të cilët fitojnë në kupë ndaj Iraklsit me rezultatin 5-1. Kaçe pati edhe një rast të artë në minutat e fundit të pjesës së parë, kur gjuajti nga një distancë e afërt me portën, por topin e largoi me kokë një mbrojtës mbi vijën fatale. Edhe pse në minutat e para ai u prit me vërshëllima, më pas, nisur nga loja tejet e bukur, Kaçe u duartrokit nga tifozët në thuajse çdo top që prekte.
Berisha kalon tek Melburni
Besart Berisha nuk do të kthehet në Europë. Nuk do të shkojë as në Kinë, Japoni, ku ka pasur oferta mjaft të mira financiare. Sulmuesi i Kombëtares shqiptare (ka kohë që nuk luan me kuqezinjtë për shkak të largësisë Shqipëri- Australi dhe me gjasa nuk do të luajë më) ka firmosur një kontratë dyvjeçare me skuadrën Melburn Viktori. Lajmi është konfirmuar edhe nga uebfaqja e këtij klubi, në të cilën thuhet se Berisha ka firmosur dhe nga fillimsezoni i ri, pra nga 2014-2015, do të jetë nën urdhrat e trajnerit të Melburnit, Kevin Muskat. Sakaq, ky i fundit është shprehur tejet i kënaqur me angazhimin e sulmuesit shqiptar. “Besarti gjatë këtyre viteve është paraqitur në nivel të lartë dhe u ka hapur punë mbrojtësve e trajnerëve, madje edhe mua. Ai është golashënues i dëshmuar dhe një lojtar që mezi pres të vijë te Melburni”, – thotë Muskat. Sakaq, Berisha ka marrë edhe përgëzimet nga klubi i tij, Brisbane Roar, pavarësisht se këta të fundit tentuan ta mbanin edhe më gjatë në organikën e tyre. Ndërkaq, pas konfirmimit se Berisha do të largohet nga Brisbane Roar në fund të sezonit, sulmuesi kosovar ka vendosur të lëshojë një mesazh për tifozët e zjarrtë të skuadrës së tij. “Të dashur tifozë të Brisbane Roar, fillimisht dua t’u konfirmoj se po largohem nga skuadra në fund të sezonit. Disa prej jush nuk do të mund të pajtoheni me vendimin tim. Megjithatë, unë dua t’ju them se kam kaluar tri sezone të jashtëzakonshme këtu dhe se jam i përqendruar që, deri në fund të këtij sezoni, ta ndihmoj skuadrën, të shënoj gola dhe të shpallemi kampionë. Shpresoj që ju të më përkrahni deri në fund të sezonit, pasi ju siguroj se do të jap maksimumin për Brisbane Roar. Të gjithë ju keni një hapësirë speciale në zemrën time. I juaji, Besart Berisha!”.





