Qeveria ka vendosur të japë kompensim financiar për kompanitë e transportit qytetës, rrethqytetës dhe ndërqytetës, për shkak të luhatjeve në tregun e karburanteve.

Sipas vendimit, operatorët e transportit do të përfitojnë 50 lekë për çdo litër karburanti të përdorur gjatë muajve mars, prill dhe maj 2026.

Kompensimi do të llogaritet mbi konsumin e këtyre muajve, por jo më shumë se sasia e konsumuar në të njëjtën periudhë të vitit 2025 për secilën kompani.

Fondi i parashikuar për këtë skemë është 250 milionë lekë. Një pjesë do të mbulohet nga buxheti i shtetit, ndërsa linjat urbane të Tiranës do të financohen nga Bashkia e Tiranës.

Kompanitë që duan të përfitojnë duhet të aplikojnë çdo muaj pranë administratës tatimore dhe të dorëzojnë faturat e karburantit dhe dokumentet e licencimit.

Afati për aplikime është deri më 1 gusht 2026, ndërsa autoritetet do të kryejnë edhe kontrolle në terren për të shmangur abuzimet me skemën.