Leicester City shkarkon Claudio Ranierin, trajnerin që krijoi përrallën më të bukur në historinë e futboll anglez. Rreth 9 muaj pasi ngriti lart trofeun e Premier League, duke mposhtur konkurrencën e ekipeve të mëdha në ishull, trajneri italian detyrohet të largohet për shkak të rezultateve të dobëta.“Dhelprat” pas javës së 25-të të Premier Leagues renditen në vendin e 17-të me 21 pikë, 1 më shumë se Hull City që me klasifikimin aktual bie nga kategoria. Pikërisht kjo ecuri negative me 5 humbje radhazi në kampionat, si dhe eliminimi nga FA Cup nga Millwall, e ka bërë të pamundur vijimin e trajnerit italian në krye të skuadrës, me drejtuesit e Leicesterit që ishin të detyruar ta merrnin këtë vendim.
Në qëndrimin zyrtar të klubit, shkruhet se ka qenë një vendim shumë i vështirë për t’u marrë, por i paevitueshëm, pasi skuadra duhet të shpëtojë nga rënia dhe për ta arritur këtë qëllim kërkohej ndryshimi në drejtim. Bashkë me Ranierin largohen edhe ndihmësi i tij, Paolo Benetti dhe përgatitësi atletik, Andrea Azzalin. Skuadra për momentin do t’u besohet përkohësisht Craig Shakespeare dhe Mike Stowell, pjestarë të stafit teknik të Lecesterit. Claudio Ranieri e mori drejtimin e Leicester më 13 korrik të 2015-ës, duke i udhëhequr “Dhelprat” drejt titullin të parë kampion në historinë 133-vjecare të këtij klubi. Pavarësisht shkarkimit nga detyra për rezultatet të dobëta, mbetet pa dyshim trajneri më i suksesshëm i Leicesterit në të gjitha kohërat.