TIRANË, 12 maj 2013 –Disa leje mjedisore kontroverse të dhëna në shtator-tetor 2012 në qarkun e Durrësit, kanë detyruar Ministrinë e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave (MMPAU), që të mos i bëjë më publike listat.
Ka ngjallur reaksion publikimi në buletin e MMPAU-t të shtator-tetor 2012 refuzimi i lejeve mjedisore për “Grumbullim, përpunim lëkurësh Shijak”, “Prodhim detergjentesh Shkozet”, “Fabrika e vajit Xhafzotaj”.
Nga ana tjetër, dikasteri i ministrit republikan Fatmir Mediu ka miratuar lejet për“Grumbullim, tregtim mbetjesh Thumanë, Krujë”, “Produkte higjienike-kozmetike Spitallë”, si dhe për t’i vënë kapak, jep lejet mjedisore për “Riciklim baterish Shkozet” dhe “Rafineri nafte Porto-Romano”!
Në njoftimin publik nuk jepet asnjë arsyetim si për refuzimin ashtu dhe për miratimin e lejeve mjedisore.
Pas reagimeve, MMPAU i ka rënë me shkurt: që nga tetori 2012 deri më sot nuk boton fare lista lejesh mjedisore.
Nga ana tjetër, në tetor 2012, buletini njofton se Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave organizoi Këshillimin me Publikun, në kuadër të shqyrtimit të kërkesës për lejen mjedisore për ndërtimin e “Bio-parkut dhe infrastrukturës së tij në Bisht –Kamzë”.
Në këtë takim merrnin pjesë zëvendësministri Arben Demeti, përfaqësues të komunës Katund i Ri, Agjencisë së Mjedisit të qarkut Durrës, të njohur të organizatave mjedisore, si dhe një numër i madh banorësh të zonës përreth.
Madje, takimin e hapi Arben Demeti, i cili theksoi se kjo iniciativë për ngritjen e bio-parkut në këtë zonë nga studimi i dërguar në Ministri, duket si një investim mjaft inovativ, si nga teknologjitë që po përdor ashtu dhe mjaft zhvillues për ekonominë e zonës.
/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





