Shqiptarët, të cilët janë në proces aplikimi për pajisje me leje qëndrimi në Greqi dhe largohen jashtë vendit, në kthim duhet të kenë së bashku me dokumentin e identifikimit edhe letrën e aplikimit.
Në të kundërt ata do të përballen me pengesa për të marrë dokumentin e qëndrimit.
Njoftimi është dhënë nga Ambasada shqiptare në Greqi, e cila ka sqaruar të gjithë emigrantët për procedurat që duhet të ndiqen në rast se largohen nga Greqia gjatë kësaj periudhe, duke i dhënë përgjigje dhe diskutimeve që janë ngritur në shtetin grek për penalizim të emigrantëve.
Vendimi i qeverisë shihet si një hap pas, pasi janë më shumë se 240 mijë emigrantë, 80% e të cilëve shqiptarë që kanë aplikuar për leje fillestare qëndrimi apo rinovim të saj dhe automatikisht preken nga një vendim i paparalajmëruar më herët.
Edhe afatet e caktuara që shtrihen ne periudhën prill-dhjetor 2024, i përkasin një periudhe të qarkullimit masiv, kur emigrantët kthehen për festat fetare ose pushime, çka u shton atyre burokraci në dokumentacione.