Lejet për të ndërtuar një apartament, apo ndryshime në banesën aktuale do të jepen në një procedurë më të thjeshtësuar. Ndërsa për punimet e vogla nuk do të ketë taksë të ndikimit në infrastrukturë. Këshilli i ministrave ka miratuar ndryshimet në ligjin për Planifikimin dhe zhvillimin e territorit duke i dhënë më shumë kompetenca kryetarëve të bashkive. Pas miratimit të planeve qendrore të zhvillimit, do të nisë puna për hartimin e planeve të detajuara, ku dhe do të përcaktohen konkretisht zonat e zhvillimit dhe ato ku do të ndalohet ndërtimi i objekteve. Por për të përfituar, lejen apo dhe autorizimin për punime do të duhet të realizohet aplikimi në “Sistemin elektronik të lejeve”. Për këtë pritet të miratohet dhe një rregullore e posaçme nga Këshilli i Ministrave. “Aplikimi për leje ndërtimi duhet të kryhet përmes sistemit elektronik të lejeve të ndërtimit. Këshilli i Ministrave përcakton rregullat e organizimit e të funksionimit të sistemit elektronik të lejeve të ndërtimit”, thuhet në vendimin e qeverisë. Por po ashtu është vendosur të rishihen rastet kur do të paguhet taksa në infrastrukturë. Në ligjin aktual thuhet se “taksa e ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja zbatohet për zhvillimet që, sipas këtij ligji, kërkojnë pajisjen me leje ndërtimi dhe llogaritet mbi çmimin referencë ose preventivin e investimit të ri që kërkohet të kryhet, duke përzgjedhur atë që ka vlerën më të lartë”.

Por me ndryshimet e propozuara, “taksa e ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja zbatohet për zhvillimet e reja që, sipas këtij ligji, kërkojnë pajisjen me leje ndërtimi dhe llogaritet sipas legjislacionit për sistemin e taksave vendore”. Sipas ligjit, për rastet e punimeve të brendshme apo dhe për ndryshime të pjesshme në fasada, apo dhe në montimin e tendave nuk kërkohet leje ndërtimi, por një autorizim, i cili jepet nga bashkia brenda një afati 10-ditor nga aplikimi. Tashmë kjo kategori ndërtimesh nuk përfshihet në objektet që taksohen. Por, sa i përket rasteve kur do të merret leje, si në rastet e objekteve shumëkatëshe, vilave, magazinave etj., taksa e ndikimit në infrastrukturë llogaritet në bazë të preventivit të investuar. Janë vetë bashkitë që miratojnë nivelin e taksës, që shkon nga 4 për qind në bashkitë e mëdha dhe deri në 1 për qind në bashkitë e vogla. Por, një tjetër lehtësi do të jetë dhe procedura e planeve të detajuara vendore. Duke parë dhe përballjet në këshillat bashkiakë, dhe shpesh zvarritjen e vendimeve, kryetarët e bashkive kanë të drejtën të miratojnë vetë këto plane, pa marrë mendimin e këshillave, gjë që do të zhbllokojë dhe lejet për ndërtime. Sa i përket marrjes së certifikatës së pronësisë, ajo do të merret pas kolaudimit të objektit.

“Në fund të procesit të zhvillimit, autoriteti përgjegjës i planifikimit lëshon certifikatën e përdorimit të objektit, që vërteton përfundimin e punimeve, në përputhje me kushtet e lejes së ndërtimit si dhe zbatimin e kritereve të dokumenteve të planifikimit e të kontrollit të zhvillimit. Në të gjitha rastet, subjekti që kryen punimet lëshon deklaratë se objekti është ndërtuar në përputhje me projektin dhe kushtet teknike në fuqi. Certifikata e përdorimit lëshohet vetëm kur aktet e kontrollit vërtetojnë realizimin e punimeve, në përputhje me kushtet e lejes sipas fazave dhe kritereve të përcaktuara në legjislacionin për punimet e ndërtimit”, thuhet në ndryshimet ligjore. Ndërkohë Këshilli Kombëtar i Territorit është autoriteti përgjegjës për vendimmarrjen për leje zhvillimi dhe leje ndërtimi “për llojet e zhvillimit komplekse, të përcaktuara në rregulloren e zhvillimit dhe ato që lidhen me çështje, zona, objekte të rëndësisë kombëtare apo me investime strategjike për interesat e vendit”.

Gjoba dhe zhvillimi i zonës

Projektligji i miratuar prej këshillit të ministrave, parashikon ndëshkimin e autoritetit që nuk pranon të japë lejen e ndërtimit, kur kërkuesi ka ndjekur të gjithë hapat ligjorë. “Refuzimi i lejes së ndërtimit në kundërshtim me legjislacionin e zbatueshëm dënohet me gjobë nga 300 000 lekë deri në 500 000 lekë”, thuhet në projektligj. Ndërsa janë lënë në fuqi, rastet e ndëshkimeve për ndërtimet pa leje. Po ashtu parashikohet se nisma private, për zhvillimin mbi planin e detajuar vendor, do të marrë leje kur mbështetet nga pronarët që kanë në pronësi, jo më pak se 51% të sipërfaqes së zonës, për të cilën propozohet plani i detajuar vendor. “Kryetari i bashkisë merr vendimin mbi miratimin e planit të detajuar vendor brenda 45 ditëve nga data e paraqitjes për shqyrtim të dokumentacionit të plotë përfundimtar, pasi ka informuar palët e interesuara përmes një a më shumë mjeteve tradicionale të informimit dhe kryen takime publike me ta, në rast se kërkohet”, përcakton projektligji. Plani regjistrohet në Hipotekë, për të mos lejuar më pas shkeljet për objektet që regjistrohen.

/Shekulli/