Të majtë, të djathtë, të qendrës, të gjithë anëtarët e Këshiliit Bashkiak, kur bëhet fjalë për interesat e tyre të ngushta personale, arrijnë marrëveshje, ngrejnë kartonat jeshilë, bëjnë kompromise, pse jo edhe të “pista” pa i vrarë ndërgjegjja. Gjithmonë nëse mund t’u ketë mbetur sadopak, pasi kolltukut të pushtetit i kanë nxjerrë “ujin e zi”.

Rasti më flagrant është shënuar në mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak të Durrësit, ku brenda një minute, pa asnjë debat kanë ngritur kartonat jeshilë, për të dhënë aprovimin për 26 leje mjedisore, dhënia e të cilave parimisht duhet të ishte konsultuar më parë me qytetarët e grupet e interesit. Këshilltarët në këtë rast duhet minimalisht të flisnin e të debatonin, sepse bëhej fjalë për subjekte të industrisë së rëndë, me impakt të madh mjedisor, por jo vetëm. Aktiviteti i tyre ka një impakt të drejtpërdrejtë në shëndetin e qytetarëve, të jetës së tyre.

Vetëm një votë kundër në Këshillin bashkiak, dhe një abstenim, janë shënuar në protokollin e mbledhjes. Edi Rubiku, jo në rolin e specialistit në Agjensinë rajonale të mjedisit, por si i zgjedhur politik votoi kundër, ndërsa kreu i Këshillit Bashkiak Indrit Hamiti abstenoi. Rubiku nuk e argumentoi votën kundër.

Midis të gjithë projektvendimeve fshihen lidhjet e interesit, të biznesit, të korrupsionit. Fijet ndërthuren midis të dy krahëve politikë, të cilët në këtë rast nuk kundërshtojnë, nuk debatojnë, nuk flasin, por vetëm miratojnë. Pas këtyre projektvendimeve janë pikërisht financuesit e partive, të cilat gjenden në prag të hapjes së fushatës elektorale. Drejtuesit e këtyre bizneseve janë ata që do të derdhin fondet për fushatat elektorale e për këtë arsye kompromisi arrihet lehtë mes këshilltarëve.

Çuditërisht këshilltarët ranë thuajse të gjithë dakort në projektvendimin me numër 7 e në vazhdim në rendin e ditës, pasi për të gjitha çështjet e mëparshme kishin debatuar, ishin zënë e ishin sharë me njëri tjetrin.

Për projektvendimet që minimalisht as nuk u lexuan në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, të paraqitura nga pika 7 deri në pikën 32, nuk u desh as një minutë kohë që të gjitha të miratoheshin në grup.  Projektvendimet që u paraqitën për vendim duhet të merrnin konsensusin e çdo qytetari durrsak e për më tepër të ambientalistëve, specialistëve të mjedisit, apo shëndetësisë etj. nëpërmjet debateve të hapura për njohjen e zbatimin e tyre në praktikë dhe rrezikun mjedisor që mbart veprimtaria e këtyre subjekteve private.

Megjithëse media e ka ngritur shpeshherë zërin për nivelin e lartë të ndotes që shkaktohet nga veprimtaria e këtyre sipërmarrjeve private këshilltarët me kartonin e ngritur legalizuan gjithçka. Këshilli dha aprovimin për lejen mjedisore të një piste në det, në zonën Apollonia, e ndërtuar në mënyrë të paligjshme dhe e denoncuar me forcë nga titullarët e autoriteteve vendore, të cilët janë shprehur për prishjen e moleve.

Këshilli ndër të tjera i dha lejen mjedisore subjektit “Somet” për aktivitetin e importit dhe riciklimin e baterive nga jashtë vendit. Në projektvendimin e paraqitur në Këshill, por që nuk u lexua, thuhet se “Somet” ka kërkuar autorizimin nga Ministria e Mjedisit për import baterish, por kërkohej edhe vendimi i organeve të qeverisjes vendore.

Ka patur ankesa të vazhdueshme dhe të përsëritura nga banorët e lagjes nr.14 për ndotjen e mjedisit ku ata jetojnë nga riciklimi i baterive. Në projektvendim kërkohej mendimi nga ndonjë institucion shtetëror i specializuar për shkarkimet në mjedis për këtë veprimtari, nëse ato janë brenda normave të lejuara duke qenë se matjet janë kryer deri tani nga e njëjta studio private, Instituti i Studimeve Ambientale me përfaqësues Agron Deliu. Ky ishte relacioni më i gjatë për një prej 26 projektvendimeve të paraqitura në Këshillin bashkiak, ku shqetësimi i shprehur as nuk u lexua e as nuk u dëgjua prej asnjë prej këshilltarëve.

Kalia: “Somet” vetmonitorohet në një laborator privat

Ramazan Kalia, drejtor i Agjensisë Rajonale të Mjedisit në Durrës deklaroi se këto leje mjedisore ishin mbajtur të bllokuara prej dy vjetësh nga Këshilli Bashkiak i Durrësit. “Ne jemi interesuar që këto subjekte të pajisjen sa më shpejt me leje mjedisore. Por do të jenë specialistët ata që do të verifikojnë dokumentacionin e firmave, subjekt pas subjekti. Molet unë nuk e kam të qartë se për kë bëhet fjalë, por ne si ARM do të bëjmë të gjitha verifikimet tona për objektin që kërkon leje mjedisore”.

I pyetur për subjektin “SOMET” kreu i ARM-së thotë se subjekti ka kërkuar të marrë mendim nga organet e qeverisjes lokale për importin e baterive dhe materialeve të tjera me të cilat subjekti ushtron aktivitetin e shkrirjes e të riciklimit. “Nuk ka kërkuar leje mjedisore, sepse ky subjekt e ka marrë atë në vitin 2008. Ky subjekt ka qënë problematik në marrëdhënie me komunitetin, përsa i përket ndotjes së mjedisit. Ai ndikon në mjedis, por problemi qëndron tek minimizimi i ndikimit në mjedis.

Realisht ky subjekt ka sjellë analizat për çdo 6 muaj dhe normat e shkarkimit në ajër dhe në ujë që paraqesin analizat laboratorike të Institutit të Shëndetit Publik dhe të ekspertëve privatë të licensuar rezultojnë brenda normave të lejuara”,- thotë Kalia. Ky subjekt shkrin metale me ngjyrë, plumb, riciklon bateri etj. duke shkaktuar nivele të larta ndotjeje në zonën përreth.

“Zona është populluar në vitet e fundit, ndërsa fabrika funksionon aty prej dekadash. Ne si ARM jemi të detyruar t’u përgjigjemi fletë analizave dhe dokumentave zyrtare, të cilat e nxjerrin atë të rregullt nga shkarkimet në ujë dhe në ajër. Përsa i përket importit të baterive për riciklim dhe materialeve të tjera të këtyre llojeve lejen e importit nuk e jep Agjensia Rajonale e Mjedisit. Kjo është çështje që i takon Këshillit të Ministrave dhe Ministrisë së Mjedisit. Fonderia dhe Somet janë brenda një ndërmarrjeje me të njëjtin pronar. Ne kemi kërkuar që të kryhen analizat nga Instituti i Fizikës Bërthamore, për ta riverifikuar, situatën. Edhe pas një viti analizat e Institutit të Fizikës Bërthamore kanë dalë brenda normave të lejuara. Në të njëjtën kohë subjekti vetmonitorohet çdo 6 muaj nga një institucion privat i liçensuar”,- tha kreu i ARM-së.

 

Daci: Ndotja e ajrit 3-fish më e lartë se norma e lejuar

Nehat Daci, specialist i mjedisit, thotë se problematika është mjaft e madhe sidomos në drejtim të matjes së nivelit të ndotjes. “3  milionë lekë është gjobitur bashkia e Durrësit për mosmenaxhim të fushës së mbetjeve të plehrave. Një milion, vetëm për këtë vit, është vendosur gjoba, sepse nuk ka rrethuar vendin e grumbullimit, pasi ne i kemi kërkuar minimalisht të rrethojë sipërfaqjen. Pushteti lokal nuk ka marrë asnjë masë dhe kjo tani është pika më e nxehtë mjedisore për Durrësin. Ne si agjensi rajonale nuk kemi aparatura, ato janë në Ministri, ndërsa ndotja matet nga Instituti i Shëndetit Publik. Nga monitorimi i vitit të fundit rezulton se ndotja e ajrit në Durrës është 3 herë më e lartë se norma e lejuar nga OBSH. Shkarkimi i plumbit në ajër nga 80 është 217. 

 

Lejet që u miratuan në KB:  

Ngarkim-shkarkim i mallrave» nga Subjekti «Albanian Stivedoring Company»

-Prodhim plastmasi fletë për bujqësinë» nga Subjekti « Albi/P»

-Projekti «Rikonstruksion i Shëtitores Taulantia»

-Prodhime industriale me material plastik nga Subjekti «Euroalbacom» sh.p.k.

-Vendosje reklamash nga subjekti «Vodafone Albania» sh.a

-Shërbim i tërheqjes së mbetjeve të ngurta dhe vajrave nga anije në portin e Durrësit dhe radë nga subjekti «Coli» sh.p.k.

-Export-import të të gjitha produkteve bujqësore (bimë medicinale) nga subjekti «Albanian Herb» sh.p.k.

-Prodhim të tubave polietileni nga subjekti «Mixheloplast» sh.p.k.

-Prodhim plastmasi fleteë për bujqësinë nga subjekti «Am Plast».

-Prodhime Mekanike nga Subjekti ”Përparimi sh.a.”.

-Ndërtimi dhe funksionimi i sistemit të komunikimeve të levizshme në qytetin e Durrësit nga kompania ”Plus Comunication”.

-Prodhim Betoni nga Shoqëria” 3D”

-Prodhim plasmasi për bujqësinë dhe qese polieteni nga Subjekti ”Xhelips” sh.p.k.

-Durrës International Hospital

-Grumbullim, magazinim, përpunim peshku dhe tregtim me shumicë e pakicë nga Subjekti «Acquario».

-Grumbullim, magazinim, përpunim peshku nga Subjekti  «Koral».

-Lokal pistë në det me Administrator z.Asti Hanxhari.

-Prodhim plumbi nga bateritë e ricikluara nga Subjekti «Somet» sh.p.k.

-Linjë prodhimi Duralumini nga Subjekti «Pespa Albania Alumin» sh.p.k.

-Prodhim të kollrave të thata, llaceve, bojrave, fino, stuko dhe nënprodukteve të tyre» nga subjekti «Dast» sh.a.

-Prodhim dhe kryerja e mbështjellave të motorrëve elektrikë, realizimi i impianteve dhe pajisjeve elektrike nga subjekti “Motor-EI”shpk.

-Tregtim me shumicë produktesh ushqimore nga shoqëria “Teuta”shpk.

-Magazinim, paketim dhe tregtim sheqeri dhe orizi nga shoqëria Ferra &Co shpk.

-Impiant për depozitim, ambalazhim dhe tregtim i gazit të lëngshëm të naftës nga shoqëria Gas Pawer sha.

-Tregtim me shumicë fruta perime nga subjekti Tregu Agro/Bujqësor.