Për afro 2 vjet e gjysmë, që nga dita kur Këshilli Kombëtar i Territorit miratoi nismën për hartimin e Planit Kombëtar të Territorit, territori është vënë në kontroll dhe ndërtimtaria e paligjshme është kufizuar ndjeshëm. Ndërsa, ky vit i ka hapur plotësisht rrugën dhënies së lejeve të ndërtimit. Lajmin për çeljen e lejeve ndërtimore e bëri të ditur dje, kryeministri Edi Rama, gjatë një vizite në një firmë private në periferi të Tiranës.
Ministria e Zhvillimit Urban dhe Agjencia e re e Zhvillimit të Territorit, në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit dhe kompaninë zbatuese të projektit, janë duke punuar për ngritjen e sistemit elektronik të lejeve të ndërtimit dhe trajnimin vijues të bashkive lidhur me procesin e dhënies së lejeve ndërtimore.
Me ngritjen e sistemit elektronik të lejeve të ndërtimit, parashikohet që aplikimi të kryhet ekskluzivisht online përmes portalit e-Albania, ku secili aplikues do të mund të aksesojë me kredencialet dhe firmën elektronike të tij dhe të ndjekë statusin e shqyrtimit të aplikimit nga autoritetet përgjegjëse. Gjithashtu, të gjitha bashkitë dhe institucionet shtetërore që kanë përgjegjësi për miratimin e projektit të ndërtimit (si për shembull në fushën e mjedisit, kulturës, infrastrukturës, mbrojtjes nga zjarri etj.) do të ndërveprojnë mes tyre përmes sistemit elektronik, duke shkurtuar ndjeshëm afatet e trajtimit të kërkesave dhe rritur transparencën ndaj publikut.
Ministria e Zhvillimit Urban dhe grupi i punës, njofton se po punojnë në mënyrë intensive, në bashkëpunim me bashkitë, me qëllim që sistemi elektronik të vihet në funksionim të plotë dhe në mënyrë të detyrueshme për të gjitha aplikimet për leje ndërtimi, duke filluar nga muaji mars 2016.
“Për të siguruar zbatimin e ligjit nga qytetarët dhe autoritetet vendimmarrëse, është parashikuar që faqja online e aplikimit për leje ndërtimi të përmbajë informacion të detajuar lidhur me dokumentacionin e kërkuar dhe kriteret e vlerësimit të projekteve të ndërtimit nga Bashkitë dhe institucionet shtetërore që kanë përgjegjësi në fushën e ndërtimit, si ato që veprojnë në fushën e kulturës, mjedisit, infrastrukturës, arkeologjisë, sizmologjisë, mbrojtjes nga zjarri, inspektoratit sanitar etj”, saktëson MZHU-ja.