Policia e Shtetit ka zhvilluar një operacion policor kundër informalitetit, evazionit në turizëm, ndërtim, hidrokarbure, tregtimin e mallrave të akcizës dhe evazionin fiskal.
Kështu, janë proceduar penalisht tre inspektorë të IMT në Bulqizë pasi kanë shpërdoruar detyrën duke lënë zaptimin e hapësirave publike.
NJOFTIMI I POLICISË
Nga Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Dibër, në kuadër të masave të marra kundër informalitetit, kanë ushtruar kontrolle në zonën e Bulqizës, për subjektet që kanë zaptuar hapësirat publike.
Si rezultat u proceduan penalisht tre Inspektorë të Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit, bashkia Bulqizë.
B.Ç, 25 vjeç, banues në Bulqizë, me detyrë Kryeinspektor i IMT, bashkia Bulqizë;
A.T, 42 vjeç, banues në Bulqizë, me detyrë Inspektor në IMT bashkia Bulqizë
E.A, 24 vjeç, banues në Bulqizë, me detyrë Inspektor në IMT bashkia Bulqizë.
Këta shtetas në neglizhencë të kryerjes së detyrave si punonjës shtetërorë nuk kanë kryer me dashje marrjen e masave ligjore për prishjen e ndërtimeve të kundraligjshme ndaj subjekteve që kanë zaptuar hapësirat publike të bashkisë Bulqizë.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër për veprën penale "Shpërdorim detyre" kryer në bashkëpunim.





