Princi Leka II u ka uruar shqiptarëve kudo janë festën e Vitit të Ri duke theksuar se mbetet rrugë e gjatë deri në përjetësimin e aspiratës së rilindësve tanë, bashkimin kombëtar.

Më poshtë po e botojmë të plotë mesazhin e Princit Leka II.

Bashkatdhetarë të dashur
Motra dhe vëllezër

Në këtë ditë të parë të Vitit të Ri, ju uroj Gëzuar dhe për shumë vjet, duke shpresuar që gjatë këtij viti do të realizojë secili nga ne projektet e veta personale dhe të gjithë së bashku projektet tona kombëtare.

Viti që kaloi ishte i veçantë për popullin shqiptar. Përveç kremtimit dhe festimeve që shënuan në të gjitha trojet shqiptare dhe në diasporë 100-vjetorin e Pavarësisë, kthimi në Atdhe i eshtrave të Mbretit Zog dhe ngritja e monumentit të tij, dëshmuan se shteti shqiptar ka marrë tashmë një orientim të ri. Vlerësimi që iu bë figurave historike tregon se herët a vonë e drejta dhe e vërteta del në dritë.

Për mua ky ishte një vit reflektimi. Ndarja nga jeta e babait tim, Mbretit Leka I, ishte një moment i vështirë për Familjen Mbretërore! Falë mbështetjes të Popullit Shqiptar kam gjetur forcë dhe kam marrë angazhimin solemn të vazhdoj rrugën e të parëve duke qenë gati të punoj dhe jetoj në shërbim të atdheut.
 

Të dashur bashkatdhetarë

Përveç arritjeve që populli shqiptar ka realizuar, na mbetet ende një rrugë e gjatë derisa të realizojmë aspiratat e rilindësve dhe patriotëve tanë drejt bashkimit kombëtar. Kudo në trojet etnike faktori shqiptar është bërë me i rëndësishëm, madje po bëhet më vendimtar dhe po gëzon mbështetjen e aleatëve tanë të natyrshëm. Duhet të dimë ti kalojmë divergjencat politike apo krahinore si edhe interesat e ngushta, për ti dhënë përparësi projekteve afatgjata të popullit dhe kombit.

Jo gjithmonë historia ka qenë në favorin tonë. Vendosja e kufijve në vitin 1913 duhet të rivlerësohet në kohën e duhur dhe nëpërmjet një rruge paqësore. Kjo nuk nënkupton qëndrimin pasiv të popullit shqiptar, përkundrazi. Duke rritur nivelin politiko-ekonomik, shoqëror e demokratik kudo që ndodhen shqiptarët, hyrja në Europë do të na gjejë një komb më të begatshëm, më të fuqishëm, më dinjitoz, më të përgatitur e më të besueshëm për realizimin e kësaj ëndrre të madhe .

Padyshim në këtë proces jo të lehtë Familja Mbretërore do të ketë rolin e saj të pazëvendësueshëm si simbol i unitetit kombëtar. Ne do të mbështesim çdo iniciativë në këtë drejtim dhe çdo nismë në mbrojtje të drejtave të shqiptarëve kudo që ata ndodhen, Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Çamëri, Luginën e Preshevës dhe trojet e tjera etnike.

Edhe një herë, Gëzuar Vitin e Ri. Zoti ju dhëntë shëndet, lumturi dhe begati në familjet tuaja dhe e pastë në mbrojtjen e vet popullin dhe kombin shqiptar.

Princ Leka II