Ish portjeri i njohur vlerëson ekipin e Teutës për frymën kolektive dhe lojën e bukur që zhvillojnë

Ish gardiani i portës së Flamurtarit, në dy ndeshjet historike me Barcelonën, rrëfen disa nga emocionet e shumta të atyre takimeve

Artur Lekbello në karrierën e tij ka luajtur për disa skuadra si Partizani, Lokomativa dhe Flamurtari, por sipas tij ekipi më i dashur për të ngelet Partizani. Portieri legjendar tregon pas shumë vitesh emocionet kur luante në Kamp Nou përballë Barcelonës së madhe. Ndërsa flet për ekipin e Teutës ai thotë se këtë vit është pretendente për titullin kampion. Megjithëse ka kohë që e ka lënë futbollin profesionist ai vazhdon të jetë mjaft i lidhur me të dhe ka nostalgji të madhe për fushën e blertë.

Z.Lekbello, le ta nisim këtë intervistë me një pyetje aktuale. Ekipi i Teutës që nga fillimi i kampionatit mban kreun e klasifikimit me pesë pikë diferencë nga ndjekësja më e afërt, Tirana. Si e shikoni ju të ardhmen e Teutës dhe a mendoni se ajo mund të fitojë titullin kampion dhe çfarë ndryshimi ka skuadra aktuale e Teutës në krahasim më atë skuadër ku ju keni luajtur vite më parë?

Unë ju falenderoj që më keni zgjedhur mua për këtë intervistë. Këtë vit ekipi i Teutës është një ndër ekipet më të mira të kampionatit tonë të futbollit dhe kam shumë besim që do të vazhdojë të jetë edhe për pjesën tjetër të kampionatit. Teuta duhet të vazhdojë rrugën drejt titullit dhe jam i bindur që i ka të gjitha mundësitë për ta bërë këtë. Skuadra e Teutës është e para në tabelën e klasifikimit, por më e rëndësishmja është se kanë një diferencë të madhe pikësh me ndjekësen më të afërt. Suksesi i Teutës kam përshtypjen se është vazhdimësia e saj javë pas jave. Kam vënë re se edhe në ndeshjet e luajtura jashtë fushës së saj, skuadra ka reaguar shumë mirë dhe ka marrë rezultate të kënaqshme. Skuadra aktuale ka një kontigjent shumë të mirë lojtarësh në gjirin e saj. Shumica e tyre janë djem të rinj, ndërsa disa të tjerë më të pjekur. Kjo ka ndikuar pozitivisht për skuadrën e Teutës jo vetëm në rezultate ,por edhe në lojë. Është një ekip që nga ndeshja në ndeshje po na dhuron kënaqësi. Mendoj se presidenti Hasanbelliu ka bërë një zgjedhje shumë të bukur, me lojtarë që kanë ardhur nga ekipet zinxhir të Teutës, ata luftojnë më shumë për qytetin e tyre, sepse jetojnë në Durrës. Këta djem po na dhurojnë emocione shumë të këndshme, janë në rrugë të mbarë, kanë ego për të fituar, dhe nuk dua që të prishin këtë imazh, sepse na kane dhuruar ndeshje të bukura. Shkoj edhe i ndjek edhe në stadium me shumë dëshirë. Skuadra hyn në fushën e lojës me mentalitetin për të dhënë më të mirën dhe në përfundim të ndeshjes me mënyrën e të luajturit merr rezultatin që kërkon. Unë si një ish sportist kam mendimin se skuadra e Teutës këtë vit është një ndër skuadrat pretendente për titull, ndaj e them me plot bindje se nëse skuadra vazhdon të eci kështu edhe në pjesën tjetër të kampionatit do të jetë skuadra kampione. Ju thatë se çfarë ndryshimi ka kjo skuadër në krahasim me disa vite më parë? Ka një ndryshim shumë të madh, pasi kanë kaluar shumë vite që kur unë kam luajtur me ekipin e Teutës. Mendoj se ekipi aktual është më i përgatitur teknikisht, ndërsa në atë kohë ka qenë në modë loja fizike ndaj edhe seancat stërvitore që zhvillohen tani nuk kanë asnjë lidhje me ato të asaj kohe.

Si një ish-futbollist i 20 viteve më parë, si ndjeheni sot kur nuk mund të luanin dot më futboll?

Kjo për mua është pak e trishtuar, sepse ndonjeherë nostalgjia e viteve bën efektet e saj, sidomos në veprimin që ka tek ne ish sportistët. Sa për nostalgji akoma shikojmë ëndrrra sikur po zhvishemi dhe kemi për të dalë sërish në fushë. Mendoj se periudha e viteve ’80 është e artë pa nënvlerësuar dhe duke respektuar në të njëjtën kohë edhe periudhat e tjera që na kanë mësuar.

Z.Lekbello, ju keni luajtur edhe për Teutën edhe për Partizanin. Me cilën prej tyre ju keni qenë më shumë të lidhur dhe me çfarë nostalgjie i kujtoni vitet tuaja si futbollist?

Pyetje me vend. Mendoj se e keni kuptuar vetë përgjigjen e saj. Sigurisht që kam simpati dhe nostalgji për të dyja këto ekipe, por më shumë i lidhur kam qenë me skuadrën e Partizanit, pasi aty luajta për shumë vite. Partizani është ekipi im i zemrës, ekipi që më bëri sportist, ekipi që më dha shumë, është nostalgjia më e madhe e imja. Ëndërroj për Partizanin e madh, si një ekip i të gjithë shqiptarëve, ishte një ekip me emra të mëdhenj të futbollit shqiptar, ku spikaste disiplina, ndërsa harmonia ishte në stadin më të lartë. Mendoj se vitet ‘80 kanë qënë vitet e arta të futbollit shqiptar, një futboll ku spikasin rezultate me ekipin kombëtar, por edhe me ekipet e Partizanit, Dinamos, Shkodrës, Flamurtarit në edicionet e kupave Europiane. Kjo periudhë e artë e futbollit shqiptar u errësua pas viteve ’90, por pas vitit ‘97 ky sport ka nisur të sjellë risi të vazhdueshme.  Kjo na bën të ndihemi më të lumtur përderisa brezat tanë kanë hedhur një gur në themelet e krijimit  të futbollit shqiptar. Emrat e viteve ‘80 njihen në mbarë vendin, ndërsa emrat e futbollistëve të sotëm është vështirë t’i dish. Atëhere ishin kohë të tjera ne jepnim  gjithçka për futbollin. Por ajo që më bën pak optimist është fakti që niveli i futbollit pas viteve  2000, në Shqipëri, është ngritur ndjeshëm dhe shpresoj që të ecë akoma edhe më shumë.

Duke qenë se dolëm tek nostalgjia dhe tek e kaluara, Lekbello, ju keni luajtur kundër Barcelonës, skuadrës më të mirë të botës në atë kohë. Na tregoni pak për këtë, si u përgatitët dhe sa e vështirë ishte që të luaje kundër katalanasve?

Isha portier tek Lokomotiva. Më thirrën titullarët e klubit të cilët kishin vendosur që të mbroja portën e Flamurtarit në ndeshjen e madhe kundër Barcelonës. Të them të drejtën në fillim mendova se ishte një shaka. Po kur mësova se gjithçka ishte e vërtetë dhe se një shofer po më priste për të më çuar në Vlorë, ku skuadra do të bënte përgatitjet për ndeshjen kundër Barcelonës u emocionova shumë. Gjatë gjithë rrugës për në Vlorë po mendoja që do të luaja kundër ekipit më të mirë të atyre kohëve. Me të mbërritur në qytetin e Vlorës emocionet sa vinin edhe më shtoheshin më shumë, sidomos kur zbrita nga makina. I gjithë qyteti kishte dalë për të na pritur. Nuk isha vetëm unë që isha grumbulluar kishte dhe lojtarë të tjerë nga ekipe të ndryshme, të cilët ishin thirrur për të luajtur me Flamurtarin. Në atë kohë kështu ka qenë, mund të merreshin lojtarë të ekipeve të tjera për të luajtur një ndeshje në Ligën e Kampioneve. Ekipi më priti ngrohtësisht, por në mendje më ka mbetur pritja që më bëri populli vlonjat. Shpresonin tek unë dhe tek lojtarët e tjerë që ishin thirrur për të luajtur ato dy ndeshje.

Na tregoni diçka për ndeshjet që luajtët, atë në Spanjë dhe ndeshjen në Vlorë?

Nuk di se çfarë të them tani, duket sikur nuk ka ndodhur asnjëherë. Tani nuk flitet shumë për futbollin, por në atë kohë futbolli ka qenë tema e ditës për çdo qytetar. Për herë të parë pashë një stadium të tillë siç është Kamp Nou. Një stadium dhe një tifozeri që nuk do ta harroj kurrë. Në atë ndeshje stadiumi ishte mbushur plot dhe emocionet jo vetëm për mua, por për të gjithë lojtarët e Flamurtarit sa vinin dhe shtoheshin, menduam se do të na dilte zemra nga vendi. Ishte diçka shumë e bukur dhe e pa zakontë për ne. Në fillim të takimit vendasit sulmuan pa pushim për të gjetur golin, ndërsa ne vetëm po mbroheshim. Me kalimin e minutave emocionet nisën të na zhdukeshin dhe nisëm të dilnim në lojën tonë, ndërsa e rritëm ritmin e saj. Pjesa e parë u mbyll 0-0. Me nisjen e 45 minutëshit të dytë,  vendasit nisën të bënin presion, por ekipi ynë u mbrojt mjaft mirë duke mos i lejuar ata që ta dërgonin në rrjetë topin. Kalimi i minutave ishte në avantazhin tonë, pasi vendasit sa vinin dhe bëheshin më nervozë. Kur dëgjuam vërshëllimën e fundit të gjyqtarit, i cili deklaroi të mbyllur takimin nuk po e besonim që kishim arritur që të barazonim dhe më e rëndësishmja të mos pësonim asnjë gol në Barcelonë.  Ka mbetur historik rezultati (1-1 ) në Vlorë dhe (0-0) në Kamp Nou. Në Vlorë e di që pësova një gol, por edhe shënuam, ndërsa në stadiumin gjigand të Kamp Nout, vetëm kur ka mbaruar ndeshja e kam mësuar rezultatin përfundimtar. Emocioni që të prisja çdo top, të mos e lija të hynte në rrjetë, pastaj oshëtima e stadiumit gjigand, duartrokitjet e gjata të spanjollëve për ekipin e tyre nuk na linin të kuptonim.

Sa ndikojnë kushtet e infrastrukturës në përgatitjen dhe rezultatet që arrihen në futbollin sot?

Në fakt duhet të ketë më shumë fusha dhe kushte për futbollin, këtë sport kaq të dashur.  Ne sot shikojmë fusha me ndriçim dhe të rikonstruktuara. Është për t’u përgëzuar e gjithë kjo punë që po bëhet. Duhen fusha më shumë për fëmijët e vegjël, që do të jenë e ardhmja e futbollit shqiptar. Dhe këtu përmend të gjitha pajisjet për të cilat ka nevojë një sportist; veshmbathje, dushet, mjekun që unë shumë pak e shikoj në ekipet zinxhir. Mjeku është ai që përcakton vijimësinë e futbollistit. Është kënaqësi që stadiumet janë rikonstruktuar në përgjithësi.