Leku ka vijuar të forcohet përkundrejt të gjitha monedha këtë të martë.

Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, euro arriti nivelin më të ulët të këmbimit që prej gushtit të këtij viti duke u këmbyer me 132.68 lekë. Monedha e përbashkët e nisi javën me 0.2 lekë më pak se fundi i javës së kaluar.

Të premtën euro shënoi përsëri rënie përpara festave të Krishlindjes, ku sipas ekspertëve zhvlerësimi ka ardhur për shkak të qarkullimit më të lartë të parasë.

Euro ka nisur të zhvlerësohet që prej fillimit të dhjetorit, duke qenë se efektet sezonale filluan të ndikojnë në nivelin e këmbimit EUR/ALL. Krahasuar me te njëtën periudhë të një viti më parë, euro këmbehet me dy lekë më pak.

Sipas ekspertëve, qarkullimi i lekut dhe fluksi i emigrantëve janë arsyet kryesore, por edhe periudha e dobët që po kalon euro në tregjet ndërkombëtare. Euro e nisi përsëri këtë fillim javë e nënçmuar ndaj dollarit.

Megjithatë dollari amerikan është nënçmuar përkundrejt lekut. Monedha e gjelbër dhe euro kanë pasur një vit të dobët përkundrejt lekut. Dollari ra përsëri nën nivelin e 112 lekëve këtë të martë, shkruan Monitor.

Ekspertët argumentojnë se duke parë trendin historik të euros, monedha e përbashkët do të rifillojë që të rimëkëmbë pozitat pas vitit të ri, ku edhe efektet sezonale do të shuhen.