TIRANË, 25 gusht 2013 – Lëkundje toke ndihem edhe në skajin jugor të Shqipërisë, në malin e Kostarit në Delvinë. Departamenti i sizmologjisë i Institutit të Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit në Universitetin publik Politeknik Tiranë njofton se më 24 gusht ora 17:27:3 (GMT) ose 19:27:3 është regjistruar një tërmet me forcë M=3 dhe me epiqendër në thellësinë 3 km. Sizmologët e lokalizojnë dukurinë sizmike në Finiq, Sarandë, në koordinatat 39.93°V, 20.1°L (shih hartën nr. 1, pika e kuqe). Nisur nga koordinatat, duke eksploruar me google earth, del se ngjarja tektonike ka ndodhur në lartësinë rreth 300 metra mbi nivelin e detit, në një qendër të banuar. Është fjala për fshatin Kostar të komunës së Mesopotamit (shih foton satelitore, shigjeta e gjelbër, që tregon koordinatat dhe hartën nr. 2, që tregon shtrirjen e komunës së Mespotamit me mbulim me ngjyrë të verdhë). Kostari ndodhet 2,1 km në jug të qytetit të Delvinës (njëkohësisht qendër administrative e rrethit me të njëjtin emër), që ashtu si dhe rrethi i Sarandës, bëjnë pjesë në qarkun e Vlorës. Nuk kuptohet pse sizmologët, që janë edhe gjeografë, i referohen Finiqit, në një largësi dyfish më të madhe nga Kostari se sa Delvina. Finiqi është komunë në rrethin e Delvinës dhe jo në atë të Sarandës. Nuk ka njoftime zyrtare për viktima dhe dëme materiale.

Info

Komuna Mesopotam, rrethi i Delvinës, ka në përbërje fshatrat Muzinë, Livinë, Velahovë, Kostar, Krongj, Sirakat, Pecë, Dhrovjan, Kardhikaq, Brailat, Mesopotam, Fitore, Ardhasovë, Bistricë, Krane. Komuna Finiq, rrethi i Delvinës ka në përbërje fshatrat Finiq, Buronjë, Çlirim, Vrion, Karahaxha, Bregas, Blerimas (Shijan).

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/