Shqipëria u lëkund mbrëmjen e djeshme nga një tërmet i fortë, i cili ka shkaktuar shqetësime te qytetarët, kryesisht në veri dhe në Tiranë.
Tërmeti u ndje në 4 shtete, Shqipëri, Maqedoni e Veriut, Kosovë dhe Mal të Zi.
Gjatë natës numërohen të paktën dhe 9 pasgoditje të tjera me magnitudë 2 ose pak mbi 2 që kanë ndodhur në territorin shqiptar. Ajo që vihet re është se epiqendrat e lëkundjeve nuk janë vetëm në veri, por edhe në Bilisht apo Konispol.
Tërmeti i rënë mbrëmjen e kaluar kishte një intensitet rreth 4.7 ballë të shkallës Rihter. Epiqendra e tërmetit ka qenë 25 kilometra në veri-lindje të Tiranës.
Lëkundjet janë ndjerë më shumë në zonën e Klosit dhe Bulqizës, por nuk kanë kursyer as kryeqytetin dhe qytete të tjera si Pogradeci, Durrësi dhe Lezha.
Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile bëri të ditur se janë raportuar dëme të lehta në Njësinë Administrative Xibër, Bashkia Klos, në disa banesa ku ka pasur plasaritje të mureve. Ministria e Mbrojtjes njoftoi se “të gjitha strukturat e Mbrojtjes Civile janë në gatishmëri dhe në kontakt të vazhdueshëm me të gjitha Bashkitë e vendit”.
Lëkundjet janë ndjerë thuajse në të gjithë territorin e vendit.