Nijas Lena të dielën ka provuar për herë të parë shijen për të luajtur si kundërshtar i Flamurtarit. Lena u shpreh se është ndier i befasuar nga mikpritja e tifozëve vlonjatë. Lena e cilësoi atë mes Flamurtarit dhe Teutës si ndeshje kontrolli dhe jo si sfidë kampionati, pasi në Vlorë ai ndihet si në shtëpinë e tij.
“Gjatë gjithë javës, dilema ime ishte sesi do të pritesha në Vlorë. Jam i befasuar nga tifozët, i përshëndes të gjithë. Nuk isha si ‘ish’, pasi kjo është shtëpia ime, familja ime. Ishte emocion i veçantë. Për herë të parë luaja kundër Flamurtarit. Nuk mu duk si ndeshje kampionati, por si ndeshje kontrolli. Gjatë gjithë atyre viteve kemi qenë shokë skuadre. Rëndësi ka që u bë një futboll i bukur. Tifozët mbetën të kënaqur me atë që panë në fushë”, tha Lena.
Nijas Lena u takua pas ndeshjes me administratorin Idrizi, e më pas u shpreh: “Marrëdhëniet me Idrizin mbeten miqësore në vazhdim, por nuk mund ta them tani se çfarë folëm me presidentin. Më mirë t’ia lëmë kohës. Rikthimi? Kurrë mos thuaj kurrë”, përfundoi Lena.





