Teuta po kalon një moment të vështirë në kampionat, ku mjafton t’u hedhësh një sy statistikave të 15-të ndeshjeve të para dhe e kupton qartë se ku kanë gabuar “djemtë e detit”. Kur ka mbetur për t’u zhvilluar edhe pak më shumë se gjysma e sezonit, durrsakët pozicionohen të tretët nga fundi. Kapiteni Nijas Lena pranon situatën delikate ku ndodhet ekipi dhe beson se skuadra do të ngrihet sërish.Mesfushori foli për ndeshjen ndaj Skënderbeut, si dhe faktin që presioni më kalimin e javëve rritet.
Humbja ndaj Kukësit ishte e gjashta që pësohet, pasi Teuta është fillimisht në avantazh. Çfarë po ndodh?
Është e disata ndeshje që ne kalojmë të parët në avantazh dhe nuk arrijmë të menaxhojmë takimin. Nuk jemi në një moment të mirë dhe normalisht kur gjërat nuk shkojnë mirë, ne jemi ata që duhet ta nxjerrim nga situata ekipin. Duhet më shumë punë dhe durim për t’u rikthyer dhe besoj se do të ringrihemi.
Teuta shënon rregullisht, por pëson shumë. Si e komentoni këtë fakt, është problemi i mbrojtjes apo repartet nuk lidhen mirë me njëri-tjetrin?
Ne jemi një ekip dhe gjithçka është kolektive. Nuk mund të veçojmë, e ka fajin mbrojtja apo portieri. Kur marrim rezultatet pozitive, i marrim të gjithë së bashku dhe kur nuk shkojnë gjërat mirë, duhet t’i marrim të gjithë përgjegjësitë.
Realisht probleme nuk kemi vetëm në mbrojtje, por edhe në reparte të tjera, pasi duhet t’i menaxhojmë më mirë situatat, sidomos kur jemi në avantazh. Nga këto ndeshje që kemi shënuar të parët sikur të kishim marrë të paktën katër pikë, do të flisnim ndryshe.
Ndodheni në vend të shtatë, por me pikë të barabarta me Vllazninë të parafundit. E rrit presionin në skuadër një gjë e tillë?
Normalisht nuk është pozicioni që kemi dashur, por futbolli është i paparashikueshëm, janë gjëra që ndodhin. Tani duhet të përgatitemi sa më shumë për ndeshjen e radhës për të marrë një rezultat pozitiv dhe vitin e ri duhet ta nisim me një marsh tjetër. Realisht, presion nuk ka as nga drejtuesit dhe po punojmë shumë qetë, por ato që na mungojnë, janë vetëm rezultatet.
Në cilin repart mendoni se skuadra duhet të përforcohet gjatë merkatos së janarit?
Jo vetëm ne, por çdo ekip ka nevojë për merkato. Në janar është e vështirë që të gjesh lojtarë cilësorë që janë pa kontratë, megjithatë shpresojmë të gjejmë lojtarët e duhur. Drejtuesit janë vënë në lëvizje bashkë me stafin e trajnerëve, megjithatë tani fokusi duhet të jetë te ndeshja me Skënderbeun.
Ndaj korçarëve ekipi ka bërë ndeshje të mira, madje në të kaluarën edhe ka arritur të fitojë. Si e shihni këtë sfidë?
Në këtë moment nuk na intereson shumë loja, por rezultati. Kundër Skënderbeut na intereson më tepër të merrnim një barazim, ndërsa fitorja do të ishte maksimumi. Në Korçë luhet futboll dhe mundësitë janë për të bërë një ndeshje të mirë dhe për të marrë një rezultat pozitiv. Për momentin ky është objektivi ynë kryesor.
I druheni faktit që ata janë ekipi më në formë i momentit dhe kanë bërë shumë mirë edhe në ndeshjet e Europa Ligës?
Momentalisht kanë treguar që janë ekipi më i përgatitur në Kategorinë Superiore, edhe pse kanë luajtur në Europa League nuk kanë treguar lodhje, përkundrazi. Kështu që do të na duhet shumë punë për të marrë një rezultat pozitiv atje.





