Mesfushori Nijaz Nena, që për 6 sezone luajti në radhët skuadrës bregdetare të Flamurtarit, duket se e ka mësuar shumë mirë “notin”. Edhe pse ai ndodhet prej pak ditësh në skuadrën e re të Teutës, është ambientuar shpejt dhe ka nisur të flasë edhe si “durrsak”.

“Teuta është një grup që në përbërje ka elementë të rinj, por ajo çka më shton optimizmin është pikërisht fakti që këta futbollistë e gjejnë veten si pjesë e një familjeje të madhe. Fryma që ka ky ekip është produkt i drejtuesve dhe pa dyshim që nga unë vetëm fjalë të mira do të dalin nga goja. Stafi teknik pastaj nuk ka nevojë për fjalë. Magani është një ndër trajnerët më të mirë në Shqipëri. Është njeri mbi të gjitha, pastaj tejet punëtor dhe profesionist. Është nder për çdo lojtar që të vihet nën urdhrat e tij.

Kam shumë pak që jam pjesë e durrsakëve, por më ka mjaftuar që të kuptoj se ka qetësi dhe e gjithë kjo vjen prej presidentit Hasanbelliu. Tani nuk më mbetet gjë tjetër veçse të integrohem me skuadrën dhe të jap maksimumin. E rëndësishme për mua është që të jem në formë të mirë dhe t’i shërbej grupit dhe trajnerit, atëherë kur do të jetë e nevojshme. Si profesionist që jam, nuk dua të bëj premtime, ndaj gjithçka do t’ia le fushës. Besoj se ky ekip do të vijojë me të njëjtin ritëm. Jo më kot renditen në vendin e tretë, pasi ka bërthamë, kualitete dhe dëshirë për të fituar, por mbi të gjitha kanë një staf që i karikon dhe që e mban me këmbë në tokë. Di që skuadra ima ka objektiv vetëm ndeshjen e radhës, ndaj edhe unë me këtë filozofi do të vazhdoj. Nuk mund të flasim për arritjen e finishit, thjesht do të marrim takimet një e nga një”, ka deklaruar ai.

Mesfushori Lena në prononcimin e parë si “durrsak” ka rrëfyer se pas largimit nga Flamurtari, ku misioni i tij kishte përfunduar, tregon se ka pasur edhe oferta të tjera nga skuadra të Superiores, por emri dhe tradita e Teutës e kanë tunduar për të nisur një “aventurë” të re në radhët e “djemve të detit”.