Prof.dr. Flamur Tartari (mjek)

Prof.as.dr. Fatos Tartari (arkeolog)

Në materialin e deritanishëm arkeologjik që është zbuluar në qëndrat më të rëndësishme antike të vendit tonë bëjnë pjesë edhe disa trajta të veçanta enësh, instrumente, vepra arti, simbole, etj., që lidhen me fushën e mjekësisë dhe kësisoj hedhin dritë mbi zhvillimin e saj shumë të hershëm. I plotësuar edhe me burimet e shkruara, si edhe me ndërtimet kryesore që lidhen me higjienën e shëndetësisë, ky fond të jep mundësinë që të krijosh një mendim të përgjithshëm mbi shkallën e zhvillimitt të mjekësisë e degëve të tjera simotra të saj, në mjedisin ilir e shqiptar. Dokumentacioni mjekësor, megjithëse i shumëllojshëm e deri diku i pasur, është trajtuar si pjesë e pandarë e një konteksti të gjërë arkeologjik, pa u bërë objekt i një vështrimi të veçantë.

Për arsye të ndryshimeve të ngadalta në teorinë e praktikën mjekësore nga Antikiteti në Mesjetë, lënda që do të paraqesim është marrë nga këto dy periudha të gjata kohore. Si material të mirëfilltë mjekësor e farmaceutik kemi përfshirë: 1) Instrumenta prej metali e kocke, përdorur në kirurgjinë e vogël, 2) enë të ndryshme mjekësore, 3) vepra arti dhe dëshmi epigrafike, 4) raste të veçanta ndërhyrjesh, të vëzhguara në materialin skeletik e dentar, 5) burimet e shkruara të autorëve të lashtë e të Mesjetës.

Në grupin e instrumentave prej metali e kocke përfshihen: pincetat prej bronzi, me dy krahët elastikë, që shërbejnë për kapje e shkulje të imta, të datuara në shek.III-II p.e. sonë, të gjetura në Durrës, Dimal etj., sondat në formë gjethi (auriscalpum), që përdoren për t’u futur nën lëkurë, në mënyrë që prerja me bisturi të bëhej mbi to pa dëmtuar zona të tjera; në një përdorim të dytë, me anë të këtyre sondave shpohej plaga, që kishte gjak të keq e qelb ( ). Sondat në formë gjethi, që variojnë në gjatësi prej 9,2-17,0 cm janë gjetur me shumicë edhe jashtë territorit të vendit tonë; i ndeshim që në shek. III-II p.e.sonë, por ato vazhdojnë të përdoren pa ndryshime të ndjeshme tipologjike edhe në antikitetin tonë; shtiza me maja, që në kirurgjinë e vogël kryenin funksionin e sondave, sidomos atë të shpimit të plagëve të infektuara ( ); lugë-sondë prej teli bronzi, që shërbenin në kirurgjinë e vogël për shpuarje të plagës dhe mjekimin e saj. ( ); lugë prej kocke (ligula), që përdoreshin kryesisht në farmaci për të saktësuar dozën e ilaçit pluhur apo vajor. Por me anë të këtyre lugëve mund edhe të pihej ilaçi nëpërmjet gojës. Lugët prej bronxi të përdorura në farmaci e mjekësi janë gjetur në shumicën e qendrave të lashta të vendit tonë; në Dimal janë zbuluar së bashku me instrumenta të tjerë mjekësorë, që datohen në shek.III-II p.e.sonë; në Apoloni në nekropolin e dytë të kohës së pushtimit romak, në Butrint, në një vendgjetje shumë domethënëse, pranë tempullit të Asklepit; Stativ peshoreje farmaceutike, punuar prej guri të zi, të lëmuar nga të gjitha anët. Ka formën e një trungu piramideje, që vjen e ngushtohet nga sipër ( ); përzierjes prej qelqi ( ), për përzierjen e lëngjeve që përdoreshin për kurimin e sëmundjeve të ndryshme.

2) Enët mjekësore, përfshijnë trajta enësh, që përdoreshin për përgatitjen, ruajtjen e tregtimin e barërave shëruese. Enët më tipike mjekësore të shek.VII p.e.sonë e më vonë, qenë: aribalët, askoset, bombylet, pyksidet, lekanet; shishet e vogla (unguentarët), alabastrat etj., të modeluara në shumicën e herës prej balte të lustruar apo të ngjyrosur me vernik të cilësisë së mirë, por në raste të veçanta të punuara edhe prej qelqi, fildishti, kockë, mermeri, alabastri. Që nga kjo kohë mund të flitet për një industri të mirëfilltë farmaceutike, që zë vend, pranë asistencës mjekësore të specializuar. ( ). Fondeve të muzeut arkeologjik të Durrësit i përket edhe një piksidë e vogël, e punuar prej fildishti, zbukuruar nga jashtë, në reliev, me figurat e 3 Erosëve ( ); prej fildishti është edhe një alabastër me trupin e zhdërvjelltë vezak ( ). Për përgatitjen, ambalazhimin e tregtimin e ilaçeve gjatë shek.I-IV të e.sonë. vazhduan të jenë në përdorim enët prej balte të ngjyrosur. Duke nisur sidomos që nga shek.I i e. sonë vendin e tyre fillojnë të zënë enët prej qelqi, që siguronin një ambalazhim më komod e një pastërti të lartë. ( ). Në raste më të rralla takohen edhe enët prej plumbi si p.sh. psiksidët cilindrikë me kapak ( ). Enët mjekësore prej qelqi të antikitetit të vonë e Mesjetës së herët vazhdojnë të riprodhojnë forma më të hershme, por shfaqet edhe shishja në trajtë gushe, prej qelqi të tejdukshëm.

3) Vepra arti dhe dëshmi epigrafike

a) Herme e Asklepit, punuar në gur të bardhë gëlqeror me lartësi 37.3 cm. Vepra ka bazamentin, me mbështetëse të sheshtë e të lëmuar nga të gjitha anët, si dhe kokën e vogël me mjekër të rrumbullakët e uniformë të hyut. Në faqen e përparme të bazamentit, mbishkrimi dyrradhësh greqisht; Poshtë gërmave, po në reliev, organet gjenitale të mashkullit (fallusi).

B) Gemë diaspri ( ). Figura qëndrore e kompozimit, të punuar hollë me teknikën e glipitikës, është Higjiena e ulur në një stol dekorativ, duke hedhur vështrimin majtas për nga busti i Asklepit me mjekër, i vendosur mbi një piadestal të lartë konik. Hyjnesha është veshur me teshat e kohës; këmbën e majtë e ka hedhur mbi të djathtën. Krahu i majtë është i përkthyer me dorën gati të mbështetur poshtë mjekrës; e djathta mban një kurorë. Para këmbëve është një tavolinë e thjeshtë, mbi të cilën është vendosur një amforë. Midis piadestalit të bustit të Asklepit dhe këmbëve të tavolinës është vizatuar edhe një qen, kurse prapa higjienës, rreth një boshti (skeptri) një gjarpër, koka e të cilit ka dalë mbi skeptër dhe është drejtuar për nga Higjena ( ). Siç shihet kemi paraqitjen e plotë të kultit, me atributet kryesorë të hyut siç janë: tavolina, kurora, gjarpëri, qeni i tij. Si punë i takon shek. I-II të e. sonë. Përhapja e këtij kulti lidhej me rëndësinë që i udha gjatë kësaj kohe në Durrës e gjetiu dhe në mënyrë të veçantë, ujësjellësit, komplekset e banjove publike, me saklat për banjo me avull, me ujë të ngrohtë e të ftohtë, për masazhe etj; rrjeti i kanaleve sipërfaqësore e nëntokësore higjieno-sanitarë, që nisi të sistemohej që në këtë kohë, për të vazhduar plotësuar e përkryer gjatë shek. V-VI të e. Sonë.

C) Pllakë katërkëndëshe prej mermeri. Në faqen e ekspozuar, në 6 radhë, me gërma latine të punuara me shumë kujdes, mbishkrimi përkujtimor;

Antonia. M.L/Iu Cunda. Sibi/ Et Philologu Med/Coocvlario/ Onivgi Voviva/ II Svo ( i plotësuar është lexuar: Antonia M(arci) L(iberti) Jucunda sibi/ et Philologo, med(i)co oculario/ coniugi suo, viva/de suo.

Pllaka është porositur e vendosur nga Antonia Jucunda, një liberte e Markut, për burrin e vet Filologun (me profesionin e mjekut okulist (medicus ocularius ose chirurgus ocularius) që mjeshtrin e tij e ushtronte në Durrës, ku edhe vdiq. Duhet menduar, që këtej, se në qytet vepronin edhe mjekë të tjerë të përgjithshëm apo të specialiteteve të veçanta. Për specialitetin e okulistit në Iliri kemi edhe një pllakë të vogël, në të cilën, në reliev, janë gdhendur dy sy njerëzorë (fondet e Inst.Ark.objekti me nr.inv.52).

d) Altari i madh, prej mermeri, i gdhendur dhe i punuar në të katër faqet e tij. Gdhendësit dhe porositësit, vëmendjen më të madhe ja kanë kushtuar faqes së përparme. Në të vendin kryesor e zë fusha mbishkrimore e qarkuar nga të katër anët me një buzinë, zbukuruar hijshëm me motive bimore; bisqe të përdredhur, që mbyllin në mes nga një lule të punuar në reliev. Në njërën faqe anësore është vendosur edhe një enë tipike për libacion. Në një latinishte të pastër, brenda fushës është gdhendur mbishkrimi:

L.Novelli/ Lvcifer. Praeco/ Have/ Novia Scodrina/ Coniv Rx.Mi/Ara Lv Vale/ Crotvs Pater Lvci/ Feri Lib. Medicvs/ Q.V.A. LVII Vale/ C. Seppivs Crescens/ Q.V.A. LXXV Vale.

Monumenti mbivarror i është kushtuar nga L. Novellius, dy personave që ende jetonin: Lucifer Praecos dhe gruas së tij Novia Scodrinas, si dhe 3 të vdekurve Novellia Trophimes (e ëma e kushtuesit), Crotus-it (të jatit që është edhe mjek e njëkohësisht libert i Lucifer Praecos) dhe Seppius Crescens-it, të cilët do të kenë pasë lidhni gjaku e mirënjohjeje me kushtuesin. Mbishkrimi përmend mjaft emra të vendosur në raporte të caktuara familjarë e shoqërore, por ajo që na intereson këtu më shumë është përmendja e mjekut me emrin Crotus. Me sa duket në këtë rast kemi të bëjmë me një mjek të përgjithshëm.

4) Raste të veçantë ndërhyrjesh të vëzhguara në materialin skeletik e dentar.

Në një seri nofullash të gjetura në varrezën e lashtë të Dyrrahut, janë vërejtur se veç hojëzave boshe të shkaktuara nga rënia e dhëmbëve në mjedisin rrethues, vihen re edhe hojëza, të cilat janë të osteofikuara, sikur në to, heqja të qe kryer nga dorë njeriu; pra mund të mendohet se edhe shërbimi dentar njihej dhe praktikohej kaherët në qytet. Një rast interesant paraqet një skelet i zbuluar në amfiteatër. Kafka e njeriut të varrosur kishte, në ostparientalin, një birë jo të natyrshme, që përshkonte krejt kafkën; bira ishte mbylolur nga një dhëmb kafshe ( ). Është i njohur fakti, se, që në lashtësi, trapanimi i kafkave kryhej për të shpëtuar njerëzit nga shpirtrat e këqinj, mbasi mendohej se duke shpuar kafkën mund të largoheshin prej andej këta shpirtëra; por shpimi ishte i nevojshëm, siç provon shkenca mjekësore edhe për shërimin e të sëmurëve nga disa sëmundje psikike apo që kishin të bënin me sistemin nervor si: epilepsia mjilingjiti etj. Ndërhyrje të ngjashme në kafkë, me birimin ose shpuarjen e saj përdoren edhe sot në neurokirurgji.

Në një skelet tjetër nga e njëjta varrezë, u vu re se kockat e thembrës së djathtë të këmbës qenë ngjyrosur në të zezë. Duke ditur se një nga metodat e mjekimit tonë populor në lashtësi ka qenë edhe mjekimi i sëmundjeve të ndryshme (dhëmbjet e forta të barkut ose dhimbje të tjera), në anën e djegies së thembrës së këmbës me anën e shtizës së skuqur ose pllakës, atëherë mund të mendojmë se edhe ky rast ka të bëjë me një mënyrë të tillë mjekimi.

5) Burimet e shkruara të autorëve të lashtë e të Mesjetës

Në veprën e mjaft autorëve antikë e të Mesjetës jepen të dhëna të vlefshme për zhvillimin e mjekësisë në qerthullin iliro-shqiptar. Aty njihemi edhe me emra mjekësh të shkolluar. Vlera të rëndësishme njohëse në këtë vështrim ka sidomos vepra e C.Plin Secundit “Naturalis Historia”. Në libër përmendet irisi dhe saliunka që në popull njihet me emrin haraçinë, që përdoreshin për parfumeri dhe mjekësi. Gjithashtu përpesa shërbente për të mjekuar mëshikëzën e urinës; atë e zienin në ujë deri sa mbetej I/3 dhe pastaj e pinin. Kundër zgjebës së berrave dhe kundër plagëve që u shkaktoheshin mentheve nga lindja, përdorej një përzierje e përgatitur vetë prej pisës dhe asfaltit.

Përvoja e gjatë dhe e pasur në kurimin e sëmundjeve të ndryshme me anë të bimëve mjekësore e barërave të përgatitura enkas për këtë qëllim bënë të mundur që mjeku Filonid me etnikonin Durraheni, dishepull i figurës poliedrike Asklepiadin, të shkruante e të botonte 45 traktate mjekësore. Ana Komnena na thotë ndër të tjera se në shërbim të Aleks Komnenit, veprimet ushtarake të të cilit u zhvilluan edhe në rrethinat e Durrësit, ishin edhe mjekët: Mihail Pantekrino, Mihail Eunuku etj. Kronistja e perandorit thonë për ta se metodat që përdornin një mjekimin e sëmundjeve përputheshin me terapinë e shkollës persiane, por ama ata njihnin mirë edhe metodat e praktikuara në unviersitetin e Salernos.

Shkenca mjekësore me këto të dhëna që u munduan të japim, duhet thënë se nuk qëndronte aspak inferiore ndaj shkencave të tjera dhe fushave të dijes. Gjatë antikitetit të hershëm mjekësia ruajti karakterin magjik dhe empirik. Astragalet, falluset e mjete të tjera apotropeike përdoreshin për të luftuar “syun e keq”, për të larguar në përgjithësi sëmundjet. Besim: në vetitë çudibërëse e shëruese të fenomeneve të natyrës e të qenieve të sajuara, shprehnin një shkallë ende të pamjaftueshme e të pakënaqshme të njohurive mjekësore e farmaceutike, por ama gjatë së njëjtës periudhë u futën në përdorim barëra e ilaçe që mjekonin sëmundje të ndryshme. Njohja më e thellë e anatomisë së kafshëve dhe njeriut, përhapja e njohurive mjekësore, shërimi i mjaft sëmundjeve me anë të bërarave të veçanta, rriti vëmendjen ndaj fushës së mjekësisë, si dhe besimin ndaj njerëzve të përgatitur siç ishin mjekët. Shkollat më të njohura të mjekësisë qenë ato të Cirenës, Rodit, Cnidit e Kosit. Qendrat kryesore antike të Shqipërisë, kishin vendosur me kohë lidhje tregtare e kulturore me këto qytete. Së bashku me artikujt tregtarë që silleshin nga këto vende, shkëmbeheshin edhe njohuritë, teknologjitë, specialistët etj.

Fillimet e kultit të Asklepit në Iliri lidhen me një fazë pjekurie të shkencës mjekësore. Një përparim i madh në dijet dhe praktikën mjekësore u vu re veçanërisht gjatë shek.I-IV të e.sonë. Vepra e Plinit na njeh me një seri sëmundjesh, që diagnostikoheshin e kuroheshin me barëra me origjinë bimore e organike. Crotusi dhe Filologu, Mihail Pantekrino, Mahail Eunuku, Johanis Gjin Gazuli, Gjergj Caparsi, Prokop Sakati, Marin Aleksi, Kristofori etj., janë vetëm disa prej mjekëve të shquar që ushtronin profesionin e tyre në Durrës etj. Në mjeshtrinë e tyre veç dijeve të grumbulluara e të transmetuara, që përmblidheshin në traktate mjekësore, hynin edhe instrumentat kirurgjikalë prej metali e kocke, si: pinceta, sondat, shtizat, lugë-sondat, spatulat, lugët etj. Kësaj faze i përket edhe përhapja më e gjërë e kultit të Asklepit, si edhe ndërtimet e mëdha hidrosanitare që ishin rrjedhojë e një kujdesi më të madh për higjienën dhe ruajtjen e shëndetit. Vendin më përfaqësues këtu e zënë kompleksi i banjove publike, ujësjellësat, puset e çezmat monumentale, kanalet etj.

Gjatë antikitetit të vonë e Mesjetës janë vënë re edhe rastet e para të ndërhyrjes kirurgjikale dhe terapsisë popullore.

Një punë më e kujdesshme në hetimin e materialit skeletik, në veçimin e lëndës mjekësore e farmaceutike, shtimi i analizave etj. Do t’i pasuronte edhe në këto të dhëna.

/Metropol/