Sodiq Atanda është sulmuar me thikë në tentativë për ta grabitur, teksa po ecte në Vlorë.

Raportohet se futbollisti i Flamurtarit u transportua në ambientet e spitalit të Vlorës. 31-vjeçari nga Nigeria është marrë po ashtu në pyetje nga policia për ngjarjen e paprecedentë.

Policia ka identifikuar autorin dhe vijon  puna për kapjen e tij. Paraprakisht dyshohet se autori vuan nga probleme të shëndetit mendor.

Ish-lojtari i Partizanit iu bashkua Flamurtarit në këtë edicion. Klubi vlonjat synon ngjitjen në Superiore dhe aktualisht mban vendin e dytë në Kategorinë e Parë.

Njoftimi i policisë:

Sot, rreth orës 18:00, në vendin e quajtur “Kali i Trojës”, gjatë një konflikti të çastit për motive të dobëta, ka mbetur i dëmtuar lehtë në dorë, dyshohet me mjet prerës (thikë), shtetasi S. A., 31 vjeç, me origjinë nigeriane.

Pas marrjes së mjekimit në spital, 31-vjeçari është paraqitur në komisariat për të bërë kallëzimin për rastin.

Falë veprimeve të shpejta të kryera nga strukturat e Komisariatit të Policisë Vlorë, është bërë i mundur identifikimi i autorit të dyshuar, shtetasit D. B., 21 vjeç. Vijon puna për kapjen e tij, i cili paraprakisht dyshohet se vuan nga probleme të shëndetit mendor.