Prej 6 muajsh, rrugët kryesore në Durrës lëngojnë, si pasojë e çarjes së tyre para nisjes së sezonit veror për shtrimin e rrjetit elektrik. Në prag të dimrit sërish rrugët nuk kanë shkuar në gjendjen e tyre të mëparshme, nga firma e cila kreu punimet prej nënstacionit elektrik të Spitallës në rrugën “Aleksandër Goga”, në sheshin “Pranvera”, rrugën “Skënderbej” deri në shëtitoren “Taulantia”. Punimet zgjatën rreth tri muaj, duke bërë që trafiku i makinave në sezonin veror të kalonte në kaos jo rrallëherë, dhe premtimi i kreut të bashkisë së Durrësit ishte që rrugët do të bëhen ashtu siç kanë qenë më herët. Por situata është beterr, e nuk ka ku shkon më keq se kaq.
Por tashmë që jemi në muajin tetor, në prag të stinës së reshjeve dhe asnjë prej këtyre segmenteve që përshkojnë të gjithë qendrën e Durrësit nuk ka shkuar në vend. Ditët e fundit janë duke hedhur asfalt me lopata e pikatore, aty ku gropat janë më të mëdha e të pakalueshme, në rrugën “A.Goga”, por që kjo punë nuk bën “fajde” sepse me shiun hapen për të marrë brenda gomat e makinave.
“Durrës Lajm” pyeti kreun e OSHEE-së, Adrian Çela për këtë problem. “Firma nuk është paguar për këstin e fundit të punimeve pa riparuar rrugët. Punimet për rrjetin nëntokësor janë kryer, por deri në momentin që nuk janë riparuar rrugët nga çarja, firma nuk do të marrë paratë”, tha Çela.
I merr apo jo firma paratë, qytetarët në Durrës duan rrugët të përfunduara. Të gjithë paguajnë taksa dhe taksat për makinën janë, sa taksa e shtëpisë. Askush nuk mban përgjegjësi për dëmet që u shkaktohen makinave si rezultat i rrugëve të prishura, ndërsa të mos paguash taksat askush nuk të lë të qarkullosh në rrugë.
K.H.





