Leo do të shkojë në shkollë, por drejtorët e institucioneve arsimore nuk e pranojnë. Dëshira e madhe e djalit të vogël me këmbët me allçi po venitet dita-ditës për shkak se në shkollat private shprehen se, nuk pranojnë fëmijë të sëmurë. Nëna e tij është përballur me dyer që i mbyllen, ndërsa drama me e madhe vijon në shtëpi ku nuk arrin t’i shpjegojë dot vogëlushit se, përse ende nuk është regjistruar ende në shkolle.
“Kur e ke fëmijën sëmurë mbaje në shtëpi. Kështu më thanë në shkollën me të fundit që trokita”, shprehet Anxhela, nëna e Leos 8-vjecar. Ajo shprehet se është interesuar në shkolla publike, por këto godina nuk ofrojnë kushtet për Leon. Ndaj interesimi më i madh ishte për shkollat private.
“Në dimër është ftohtë. Leo ka bërë 8 operacione në këmbë, i duhen kushte të qëndrojë në klasat e shkollave publike. Menduam se një shkollë private është më e mira për Leon. Do ngushtohemi në shpenzime, do paguajmë cdo faturë mujore, vetëm të shohim Leon me moshatarët. Ne nuk mund ta çojmë më krahë fëmijën tonë, do e transportojmë me makinë. Por sipas drejtuesve të shkollave private, fëmijët e sëmurë nuk duhet të shkojnë në shkollë. Nuk kërkuam gjë falas, por drejtorët të të tregojnë derën dhe të thonë që e kanë biznes privat dhe bëjnë ç’të duan. Vetëm në Shqipëri gjen kështu”, thotë nëna e Leos.
Anxhela tregon se mësimet e para ia ka dhënë vetë në shtëpi Leos, por dëshira e madhe e të voglit është e papërmbajtshme. “Unë shumë mësime parashkollore jam munduar t’ja bëj dhe vetë në shtëpi, por dëshira e tij është që të shkojë në shkollë. Ma kërkon vazhdimisht këtë gjë. Si mund t’i them djalit tim se nuk të duan drejtorët e shkollave të bësh mësim me fëmijët e tjerë? Leo nuk ka sëmundje ngjitëse. Sikletet e allçive në këmbë, janë sikletet e tij, që i vogli i përballon cdo ditë me trimëri”.
Apeli
Në 8 vite, Leo ka përballuar 8 operacione në këmbët e vogla, për shkak të një sëmundje të dobësimit të kockave. Lotët e nënës pas vizites tek shkolla private e trishtuan të voglin më shumë se sallat e operacionit ku ishte i detyruar të hynte për të shëruar këmbët. Anxhela rrëfen se nuk mund t’i tregojë të birit atë ‘Jo-në’ e prerë, pasi ende ruan shpresa. Anxhela shpreson se ministrja Nikolla dhe kryebashkiaku Veliaj në Tiranë do të bëjnë diçka për djalin e saj.
“I bëj thirrje ministres së Arsimit dhe kryetarit të Bashkise të bëjnë diçka dhe për këta fëmijë sepse dhe për këta fëmijë shkolla është shumë e rëndësishme dhe nuk kanë përse të privohen të drejtat e tyre vetëm sepse ata ndodhen në një fatkeqësi.”.
“Unë ju bëj thirrje ministres së Arsimit dhe kryetarit të bashkise te reagojnë, të bëjnë të mundur arsimimin e birit tim, duke nisur nga transporti i fëmijës (sepse une nuk kam makinë, gjithë ç’pata i shpenzova për operacionet e tim biri. Dhe nuk është 1 ditë, është 1 vit) Ju bëj thirrje dhe me zë të lartë sepse mesa di unë ekzistojnë LIGJE edhe për fëmijët e sëmurë”.
“Leo do të ecë” v.s “Leo do të shkojë në shkollë”
Të gjithë e mbajnë mend fushatën ‘Leo do të ecë”. Fushata u bë për vogëlushin guximtar, të cilit në Shqipëri ia kishin prerë shpresat për të ecur, ndërsa mjekët grekë i dhanë garanci. Leo vuante nga “osteogenesis imperfecta” (anomali që ka të bëjë me deformimin e kockave të këmbëve), dhe pas fushatave të shumta sensibilizuese, prindërit siguruan paratë për kryerjen e operacionit!
Operacioni doli me sukses, sikurse doktorët kishin premtuar që Leo do të ecë.
Por, për të gjithë ata që s’e dinë,duke qenë se specifika e sëmundjes është shumë delikate pas ndërhyrjes së fundit kirurgjikale që kreu në Greqi, 8 -vjeçari i është nënshtruar terapive të ndryshme intensive për forcimin e kockave të këmbëve e deri më tani, sipas së ëmës ajo çka mund të quhet arritja më e madhe mbetet fakti që Leo do të ecë. Por sfidat për Leon nuk mbyllen këtu. Megjithë allcinë në të dyja këmbët që e kufizojnë në lëvizje normale, duhet të përballet me burokracitë për regjistrimin në shkollë. Por Leo është fëmijë inteligjent, kurajoz dhe prindërit kanë besim se do ia dalin dhe kësaj sfide, “Leo do të shkojë në shkollë”, thonë prindërit e tij dhe bashkë me ta dhe ne shprehim besimin se autoritetet do të lëvizin dhe “Leo do të shkojë në shkollë”. /BalkanWeb/





