ZVICER, 15 mars 2013 – Një surprizë të këndshme, por dhe pak të sikletshme i ka rezervuar drejtori sportiv i Paris SG, Leonardo, të fejuarës së tij. Ndërsa gazetarja sportive e televizionit italian “Sky”, Ana Billo po zhvillonte një lidhje të drejtpërdrejtë me Leonardon, pas hedhjes së shortit të Ligës së Kampioneve, ky i fundit i ka kërkuar të martohen.
Ana po priste që Leonardo të komentonte shortin që i vendosi përballë Barcelonës, kur ai e befasoi duke e pyetur: “A martohemi?”. E shtangur, ajo u përgjigj: “Çfarë pyetje është? Mirë, vazhdojmë transmetimin”.
Megjithatë, Leonardo këmbënguli: “Mirë, çfarë?”. “Ok, në rregull. Flasim prapë në shtëpi, faleminderit gjithsesi”, përgjigja e së fejuarës.
”Tani është po apo jo?”, këmbëngulja e drejtorit sportiv të PSG, që shtoi me humor: “Meqë na ra Barcelona, na duhet një dasmë për të ngritur moralin”.
”Në rregull”, fjala e fundit e Billos, që ndezi një duartrokitje në sallë.
Ndërkohë, Leonardo zbuloi se ka në plan të zhvillojë dy ceremoni martesore, njërën në Brazil dhe tjetrën në Milano. Të shkojë si të shkojë përballja me Barcelonën, të paktën Leonardo dhe Ana Billo do të kenë gjithsesi një arsye për të festuar.