Shkolla “Leonik Tomeo” ka fituar çmimin e parë të Maratonës Rinore festivalit të tetë që zhvillohet në Durrës midis shkollave të mesme publike e jo publike.

Finalja është ndezur fort si rezultat i konkurrencës së ashpër midis shkollave të mesme të cilat garonin në disa gjini, si: muzikë, valle popullore, skeçe, kërcim modern, skenari më i mirë, etj.

Juria e përbërë Genciana Cako, Lediana Rama, Çlirim Kume, Arjola Sylejmani, Elda Mamoci  Elio Bajramaj, etj. kanë përzgjedhur më të mirët sipas gjinive në të cilat konkurruan të rinjtë pjesëmarrës të shkollave.

Shkolla e mesme “Leonik Tomeo” ka spikatur në këtë maratonë duke korrur disa çmime të para në disa gjini.

Në gjininë skeç, çmimin e dytë e mori “Olsi Lasko”, e të tretin “Naim Frashëri”.

Kërcim modern: Vendi i parë “Mihal Ekonomi”, i 2-ti “Leonik Tomeo”, i 3-ti, “16 Shtatori”.

Skenari më i mirë: “Leonik Tomeo”, i 2-ti, “Naim Frashëri”, i 3-ti “Gjergj Kastrioti”.

Këngë: vendi i parë “Olsi Lasko”, i 2-ti “Naim Frashëri”, i 3-ti “Besnik Hidri”.

Shfaqja më e mirë: Vendi i parë “Leonik Tomeo”, i 2-ti “Gjergj Kastrioti”, i 3-ti “Kajo Karafili”.

Maratona Rinore u kthye pas një shkëputjeje 4-vjeçare në qytetin e Durrësit.  

Në këtë edicion të tetë, morën pjesë shkollat e mesme të rrethit Durrës: “Leonik Tomeo”, “Naim Frashëri”, “Bernardina Qeraxhia”, “Gjergj Kastrioti”, “Olsi Lasko”, “Migjeni”, “Mihal Ikonomi”, “Kasa”, “Kajo Karafili” (Maminas) Manëz, Kullë, Ishëm, Katund i Ri, “Besnik Hidri” (ShënVlash) “16 Shtatori” (Shijak).

Përpara një komisioni specialistësh, janë prezantuar rreth 130 numra artistikë. Shkollat konkurruan  në këto zhanre artistike: kërcim modern, kërcim aerobik, interpretim, stilim, pikturë, skeç, prezantim, pantomime, etyde me tema sociale, këngë, valle popullore.

Çdo shkollë  përgatiti një program 40 minuta me të gjitha elementet artistike.

Nën organizimin e Genciana Cakos dhe Arian Plakut, si dhe me ide të këtij të fundit, ky festival u bë i mundur në sajë të bashkëpunimit mes Drejtorisë Arsimore Rajonale Durrës dhe teatrit “Aleksandër Moisiu”.

K.H.