Nga Armand Shkullaku
Pas 8 vitesh, Edi Rama u tha shqiptarëve se është i gatshëm të sakrifikohet për ta duke qëndruar edhe 4 vite të tjera në pushtet. Ai do të kishte dashur t’i përkushtohej familjes së tij, por duke qenë se është i vetmi që ka “fuqinë e ambicies, vullnetit, dijes dhe eksperiencës”, është i dënuar të jetë përsëri kryeministër.
Ky është rasti i parë kur një kryeministër , pas 8 viteve qeverisje, kërkon të marrë një mandat të tretë për të realizuar ato që premtoi në dy të parët. Reformimin e sistemit shëndetësor, luftën kundër korrupsionit, taksim progresiv më të drejtë, infrastrukturë moderne, etj. Këto i ka përmendur vetë Rama, pa u skuqur e pa u zverdhur, në postimin e famshëm, ku merr përsipër me vetmohim të sakrifikohet për popullin edhe 4 vjet të tjera në karriken e kryeministrit.
Paradigma e liderit që nuk ka bërë asgjë në 8 vjet por duhet rizgjedhur se përsëri mbetet më i miri, është e vetmja mbi të cilën mund dhe po ngrihet fushata e Ramës. Në vend të ballafaqimit me secilin prej premtimeve që ka marrë përpara shqiptarëve, ai zgjedh të merret me kundërshtarin politik. Në vend të bilancave, preferon të deligjitimojë me gjuhë perverse mediat që ia shpalosin ato. Në vend të tregojë rezultatet konkrete të qeverisjes së tij, shfaqet si hije e Erion Velisë duke shëprndarë ca çelësa shtëpish. Inspektime me projekte 3D në dorë, ministra mbi traktorë sapo kthehen nga Dubai, stadiume e pallate sporti për të injektuar një grusht vaksinash… Dhe për t’i shpëtuar ikjes nga llogaridhënia për të shkuarën qeverisëse, tashmë shënon kulmin e pacipësisë me tezën e re: Më zgjidhni mua se mendoj më shumë për ju se sa për familjen time biologjike!
Mirëpo qytetarëve u mungojnë provat se Edi Rama vërtet mendon për ta. Dhe kjo jo vetëm se si kryeministër në 8 vite u ka dhënë vetëm shfaqje dhe jo mirëqënie, por edhe se personalisht bën një jetë tjetër nga ajo që reklamon. Atij i mungojnë si rezultatet ashtu edhe shembulli personal për t’i bindur shqiptarët për vetësakrifikimin e tij edhe katër vjet të tjera.
Sa më shumë të afrohet data e zgjedhjeve, aq më shumë do ta dëgjojmë Edi Ramën ta paraqesë veten si të vetmen alternativë për Shqipërinë. Ai do ta evitojë me çdo kusht pyetjen se çfarë ke bërë në 8 vjet, duke i mbivendosur diskursin se ata të tjerët janë më keq se ai. Ai do të bredhë nëpër qytete e katunde, jo duke marrë përgjegjësi për ekonominë në kolaps e premtimet e pambajtura, por duke vizatuar dhjetra porte e aeroporte, miliona e miliarda që pritet të vërshejnë në Shqipëri. Edi Rama nuk mund të flasë për premtime tokësore, sepse ato do ta nxirrnin zbuluar paaftësinë dhe dështimin e tij, si i vetmi kreyministër me bilancin më të keq qeverisës në 30 vitet e fundit. Ai do të rrëfejë vetëm endrra me gjellë pasanikësh e lugë floriri, si manipulimi i fundit që i ka mbetur të provojë.
I vetëdijshëm që ëndrrat nuk i ngopin njerëzit kur ngrihen në mëngjes, ka vendosur t’i japë edhe dimensionin sentimental këtij manipulimi. Ai do të ndërtojë fabulën e kryeministrit që vuan nga pesha e kryqit e të pushtetit për hir të popullit dhe jo të menaxherit të interesave të një grushti njerëzish. Se ai nuk është kryeministri i të pasurve, i PPP, koncensioneve, i zero investimeve të huaja për shkak të korrupsionit. Se nuk është kryeministri i kanabisit dhe vërshimit të parave të drogës, i banditëve me pushtet dhe pushtetit në shërbim të tyre. Se nuk është kryeminstri që po mban vendin peng në dyert e Europës dhe po i dërgon shqiptarët rrugëve të saj.
Tani, pas 8 viteve, ai po kërkon të shndërrohet në kryeministrin e popullit. Madje i gatshëm të vetëflijohet për të, duke mos shkuar në shtëpi edhe katër vite të tjera. Nëse mendon të bëjë një sakrificë për shqiptarët, bën mirë të shkojë vërtet në shtëpi. Familja do të çmallej me të dashurin e munguar dhe të tjerëve nuk do t’u mungonte kryeministri i përvëluar.