Petrit Vasili, nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, ka dalë në një deklaratë për mediat nga selia qëndrore e forcës së tij politike, duke hedhur poshtë atë që kishte thënë pak orë më parë Luan Rama, sekretari i përgjithshëm i Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Teksa Rama më herët kishte kritikuar qeverinë, lidhur me disa vendime të saj për ekonominë e vendit, të cilat ishin kritikuar edhe nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, Vasili ka dalë e ka thënë se qëndrimi i Ramës nuk ishte qëndrimi zyrtar i Lëvizjes Socialiste për Integrim.

“Qëndrimi i z. Luan Rama lidhur me raportin e Fondit Monetar Ndërkombëtar nuk është një qëndrim zyrtar i Lëvizjes Socialiste për Integrim, – tha Vasili. – Është një lexim individual i tij i këtij raporti.”

Pak ditë më parë, Fondi Monetar Ndërkombëtar publikoi raportin e radhës, ku pati kritika për qeverinë, veçanërisht lidhur me vendimin për rishikimin me ulje të buxhetit dhe politikat e ndjekura për të dhënë shërbimet të ndryshme me konçesion.

Në deklatarën e tij, sekretari i përgjithshëm i Lëvizjes Socialiste për Integrim deklaroi se qeveria duhet të reflektonte nga kritikat e Fondit Monetar Ndërkombëtar. “Sa herë që qeveria shqiptare nuk e ka konsideruar me seriozitet qëndrimin e Fondit Monetar Ndërkombëtar, jemi ndeshur me fenomene krizash, apo situata të pakëndshme të zhvillimit ekonomik, – tha Rama. – Të reflektojë me seriozitet, përgjegjshmëri, të lexojë në mënyrë të drejtpërdrejtë siç është shkruar raporti, dhe më lejoni të them që nuk e teproj, madje duhet lexuar më me seriozitet dhe konsistencë ndoshta dhe se sa rekomandimet e Komisionit të Venecias.”

Situata e krijuar në Lëvizjen Socialiste për Integrim është sa komike, aq edhe tragjike. Muajt e fundit është vënë re në lloj tentative nga Lëvizja Socialiste për Integrim për të ndërtuar një qëndrim të vetin, ndoshta edhe pak të ndryshëm nga ai i Partisë Socialiste, forcë politike me të cilën është në koalicion. Të paktën për ngjarjen e sotme, kjo përpjekje për të arritur këtë lloj ‘pavarësie të kushtëzuar’ e ka kthyer Lëvizjen Socialiste për Integrim në komike.

Dy drejtues të lartë të kësaj force politike nuk merren vesh njëri me tjetrin, lidhur me atë që duhet të deklarojnë mbi një çeshtje shumë të rëndësishme, siç është ekonomia e vendit. Situata e dëshmuar sot është tamam si ajo shprehja e popullit, ku njëri iu fut gozhdës dhe tjetri patkoit.

Por, është edhe tragjike, pasi bëhet fjalë për një forcë politike qeverisëse. Gjithnjë forcat politike në vendin tonë, kur kanë qenë në pushtet, kanë tentuar të ndajnë partinë nga qeveria, me qëllimin që partia të mos mbajë të gjitha kostot e qeverisë. Historia e shkurtër e demokracisë sonë ka treguar se asnjë parti nuk ia ka dalë ta arrijë këtë gjë, thjesht edhe për faktin se është praktikisht e pamundur. Këtu tragjikja qëndron tek fakti se një forcë politike, që qeveris vendin, del dhe kritikon qeverinë, duke të të dhënë përshtypjen se qeveria është një entitet më vete, e ndarë nga partitë në qeveri.

Pas sekretarit të përgjithshëm dhe nënkryetarit, tani mbetet të dalë kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe të thotë se nga cila anë anon peshorja.