· Në detet Adriatik dhe Jon kalojnë rrugëkalime të rëndësishme të transportit detar, por nga ana tjetër këto dete mund të përdoren edhe si rrugë për trafikimin e mallrave të paligjshëm, për emigracionin e paligjshëm etj.
DURRËS, 9 prill 2014 – Forcat Detare shqiptare me seli në Plepat e Durrësit janë fuqizuar me një anije të re patrullimi.
Sikurse njofton Ministria e Mbrojtjes, në Bazën Detare të Pashalimanit në Vlorë është zhvilluar më 8 prill 2014 ceremonia e lëshimit në ujë të anijes “Butrinti”, e cila u ndërtua në kantierin detar të Pashalimanit, në kuadër të kontratës me kompaninë holandeze “Damen Shipyard”.
Ishin të pranishëm shefi i Shtabit të Përgjithshëm i Forcave të Armatosura gjeneralmajor Jeronim Bazo; ushtarakë të lartë nga Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm, si dhe mjaft të ftuar të tjerë.
Ndodheshin gjithashtu ambasadori i Britanisë së Madhe në Tiranë Nicholas Cannon; ambasadori i Mbretërisë së Holandës, Martin de la Beij dhe përfaqësues të kompanisë “Damen”.
Ceremoninë e hapi komandanti i Forcës Detare, gjeneral brigade Qemal Shkurti.
DRITAN HILA
Zëvendësministri i Mbrojtjes Hila përshëndeti efektivët e Forcës Detare dhe personelin e kantierit detar të Pashalimanit, i cili, mes të tjerave, tha:
“Sot ne ulim në ujë anijen "Butrinti", të katërtën e klasit "Iliria", e cila shënon dhe përfundimin me sukses të projektit më të rëndësishëm të Forcës Detare në rrugën e saj të modernizimit. Ky projekt filloi në vitin 2007, me nënshkrimin e kontratës së ndërtimit të anijeve ndërmjet Ministrisë së Mbrojtjes së Shqipërisë, kompanisë “Damen Shipyards” dhe qeverisë së Mbretërisë së Holandës. Fryti i parë i këtij bashkëpunimi ishte anija “Iliria” e ndërtuar në Holandë në vitin 2008, ndërsa më pas, vit pas viti, specialistët e punëtorët e kantierit të Pashaliman, së bashku me ekspertët holandezë, bënë të mundur ndërtimin e anijeve “Oriku” e “Lissus” dhe tani “Butrinti”. Këto anije kanë rritur ndjeshëm kapacitetet operacionale për kontrollin dhe monitorimin e trafikut detar, mbrojtjen e mjedisit detar, kryerjen e operacioneve të kërkim-shpëtimit, zbatimit të ligjshmërisë dhe rritjes së sigurisë detare. Gjithashtu ato do të rrisin ndërveprueshmërinë e Forcave tona të Armatosura në kuadër të operacioneve të NATO-s, iniciativave rajonale dhe do të jenë një grup i rëndësishëm për përballimin e emergjencave të ndryshme detare në hapësirat adriatike-joniane. Ceremonia e lëshimit në det të anijes “Butrinti” në këtë 5-vjetor të anëtarësimit në NATO, i gjen efektivët e Forcave tona Detare më profesionistë, më të aftë për të menaxhuar hapësirën detare, si dhe më bashkëveprues me strukturat homologe të vendeve partnere të NATO. Por në vizionin tonë për të ardhmen kemi shumë për të bërë. Në detet Adriatik dhe Jon kalojnë rrugëkalime të rëndësishme të transportit detar, por nga ana tjetër këto dete mund të përdoren edhe si rrugë për trafikimin e mallrave të paligjshëm, për emigracionin e paligjshëm etj. Prandaj dhe monitorimi, kontrolli dhe zbatimi i ligjshmërisë në det i Forcës Detare duhet të jetë më i aftë profesionalisht, efikas dhe me kapacitete operacionale bashkëkohore. Shprehim mirënjohje të veçantë për qeverinë holandeze që ndihmoi në realizimin e këtij projekti, për kompaninë “Damen Shipyards” për bashkëpunimin e ngushtë dhe serioz që ofruan, si dhe përgëzoi punëtorët, teknikët, inxhinierët dhe të gjithë ata të cilët me mundin dhe djersën e tyre bënë të mundur realizimin e këtij projekti”.
Në fund, të pranishmit në këtë ceremoni ndoqën nga afër momentet e lëshimit në ujë të anijes “Butrinti”.
Fotot: mirësjellje e Shefqet Kërcellit
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





