Do të ishim të lumtur, në këtë gazetë, për të mirëpritur një debat të gjerë mbi urbanistikën dhe arkitekturën e qytetit tonë. Besoj se kjo temë është shumë urgjente, në një moment kur tregu imobiliar është i paralizuar, ndërsa ndërtimet nuk ndalen dhe panorama urbane rrezikon të përkeqësohet. Do të donim të dëgjonim zërin e arkitektëve, do të donim të dinim përse kanë projektuar volumetri si ato që të gjithë mund t'i vështrojmë nga dritaret tona dhe do të donim t'i pyesnim sesi e shikojnë të ardhmen e profesionit të tyre nëse ndërtimi do të bllokohej. Dhe do të donin të dëgjonim zërin e qytetarëve, për të kuptuar nëse durrsakët janë të lumtur që jetojnë në këtë kontekst urban apo jo.

Nga ana ime, do të doja t'i bëja disa pyetje arkitektëve dhe ndërtuesve mbi veprimtarinë e tyre, nga pozicioni im si qytetare e thjeshtë durrsake, por edhe si e huaj që vjen nga një vend ku ka ndodhur një katastrofë ndërtimore e pandreqshme, dhe shpresonte të mos shihte edhe një herë të njëjtin spektakël. Vuajtja ime rritet sepse besoj në teorinë e Estetikës së kodifikuar nga “babai” i Neoklasicizmit gjerman, Johann Joachim Winckelmann, i lindur në një familje të varfër këpucarësh, por i pajisur me dashurinë instinktive për bukurinë e për artin. “Mendimet” e tij, i botuar në 1755, mund të përmblidhen me një shprehje: “Bukuria është një mesazh harmonie, fisnikërie të thjeshtë dhe madhështie të qetë. Artisti dhe filozofi duhet të jenë të bashkuar në një person të vetëm”.

Shqiptarët, një herë e një kohë, ishin të gjithë si Winckelmann: udhëtarët e huaj të të shkuarës nënvizojnë shpesh se “shija shqiptare, nëse e lënë e lirë nga influencat e huaja, nuk gabon kurrë”. Shkrimtarët perëndimorë mbeteshin gojë hapur nga shtëpitë e bukura në stilin osman, me dritare të mëdha të zbukuruara me dekoracione prej druri, por edhe nga përkujdesja me të cilën realizoheshin shtëpitë prej guri mali, dhe dashuroheshin pas tavaneve të gdhendur, qilimave, mbulesave të divaneve, bauleve të pikturuara. Edhe pse pa luks, shqiptarët jetonin në një kontekst banimi karakteristik, me një identitet të fortë, shumë larg nga anonimia e ndërtimeve aktuale. Kishin shije të mirë – një shije të thjeshtë, hera-herës të varfër, por e kujdesshme në hollësitë më të imëta.

Fatkeqësisht, komunizmi ka vepruar sistematikisht për të ç'rrënjosur nga mendja e nga jeta e nënshtetasve të tij çdo ekzigjencë për bukurinë. Ai produkt kaotik që ishte “njeriu i ri” shqiptar u zhvillua pa informacionin minimal mbi perceptimin estetik, duke u kënaqur me mjedisin urban dhe kriteret e banimit të krijuara për të nga Politbyro. Ky ka qenë një nga krimet më të mëdha i të gjithë regjimeve komuniste: për të mbajtur masat urtë në situatën e varfërisë së thellë ku jetonin, diktaturat i kanë mohuar atyre njohjen e bukurisë dhe kanë mbytur zhvillimin e sensit estetik popullor.

Ardhja e egër e demokracisë sigurisht nuk ka ndihmuar shqiptarët për të rifituar vlerat e humbura të epokës para-komuniste, dhe fatkeqësisht vendi u hap ndaj influencave të jashtme të helmuara, nga sektori ndërtimor tek ai i mobilimit dhe modës së veshjes. Shembujt më të keq të botës perëndimore (modeli i ndërtimit të periferive italiane, dritare duralumini, pllakat spanjolle, etj.) dhe të botës lindore (xhamat e errët pasqyrë në stilin Emirate Arabe, tekstile turke, mobilje egjyptiane) kanë patur sukses në një Shqipëri tashmë të boshatisur nga identiteti i saj estetik. Dhe këtu duhet pyetur se përse intelektualët e sektorit artistiko-arkitektonik nuk kanë ndërhyrë për të udhëhequr shijen popullore në drejtimin e duhur dhe për të dhënë shembuj të bukurisë dhe elegancës së vërtetë.

Nga ndërtimi i zymtë komunist u kalua direkt në ndërtimin ekonomiko-popullor që karakterizon periferitë europiane – por në Durrës ky model ndërtimi ka pushtuar qendrën e qytetit. Ky ka qenë një gabim i rëndë jo vetëm nën profilin estetik (duke dëmtuar imazhin e qytetit e pra turizmin), por edhe nën aspektin social. Besoj se durrsakët nuk e meritonin të kalonin nga “pallatet-kuti” komuniste anonimë tek “kullat-kuti” të reja, akoma më anonime sepse janë tepër të mëdha dhe të shpërpjesëtuara. Dhe do të doja të dija përse, pas komunizmit, qytetarët nuk janë informuar për dallimin mes “ndërtimit fisnik”, “ndërtimit civil” dhe “ndërtimit ekonomiko-popullor”.

Quhen “ndërtime të tipit fisnik” ato të qendrës së qytetit, me pamje panoramike dhe me dekorime arkitektonike me vlerë, me ballkone, derë pallati, shkallë, ndalesë shkallësh e ashensor prej materiali të çmuar (mermer, dru, tunxh, xham), dhe me elementë të brendshëm të rafinuar (dyer e dritare prej druri, persiane prej druri dhe jo grila duralumini, dysheme unike dhe jo me pllaka). Apartamentet janë maksimumi dy për çdo kat. Janë banuar nga borgjezia e lartë (sipërmarrës, avokatë, noterë, kontabilistë, dentistë, mjekë).


Quhen “ndërtime të tipit civil” ato me nivel arkitektonik të mirë dhe me dysheme, dyer, dritare dhe instalime me kosto mesatare-të lartë. Kanë shpërndarje racionale të apartamenteve, që janë maksimumi tre për çdo kat dhe kanë dritaret nga veriu dhe jugu ose nga lindja dhe perëndimi, për të favorizuar ndriçimin diellor dhe ajrimin. Janë banuar nga borgjezia e vogël dhe e mesme (nënpunës me rroga të mira, mësues, dyqanxhi, etj.).


Quhen “ndërtime të tipit ekonomiko-popullor” ato të karakterizuara nga shfrytëzimi maksimal i sipërfaqes dhe i volumetrisë së ndërtueshme, dhe pra nga densitet i madh banimi, me më shumë sesa tre apartamente për çdo kat. Shpërndarja e apartamenteve është joracionale, dritaret janë pak në krahasim me sipërfaqen totale dhe ndonjë hapësirë mbetet në hije. Pozicionimi këndor apo vetëm nga njëra anë e pallatit nuk favorizon ajrimin e apartamentit. Niveli arkitektonik është i ulët dhe kursimi është maksimal për dyshemetë, dyert e dritaret, instalimet dhe hapësirat e përbashkëta. Ballkonet janë me tulla e llaç, dhe apartamentet kanë shpesh bashkim të sallës me kuzhinën, sipas zakonit antik të vatrës ose oxhakut (përkundrazi, në ndërtimin fisnik e civil, kuzhina dhe salla janë të ndara që divanet dhe perdet të mos marrin erën e gjellës, që mund edhe t'ia shpifë mysafirit). Këto apartamente janë banuar nga klasa punëtore dhe kategori sociale më të varfra.


 

Tani, në cilën tipologji identifikohen pallatet e ndërtuara në Durrës në 15 vitet e fundit? Shoqëria shqiptare është shtresëzuar shumë dhe është krijuar një humnerë ekonomike midis milionerëve dhe të varfërve, por ndërtimi dhe arkitektura nuk i janë përshtatur këtyre dallimeve, as në formë estetike e cilësore, as në shkallë çmimesh. Mos jemi përballë një nostalgjie për komunizmin dhe barazitizmin? Mund të flasim për një “të drejtë për të blerë shtëpi me çmim të ulët, i njëjtë për të gjithë”, sipas mendimit socialist që ka frymëzuar ndërtimin ekonomiko-popullor në periferitë europiane?

Çfarë do të ndodhë nëse, pas disa vitesh, brezat e rinj do të rifitojnë sensin estetik antik të stërgjyshërve të tyre? Përmirësimi ekonomik dhe rritja e nivelit kulturor të popullsisë do të stimulojnë sensin kritik dhe nevojat estetike të durrsakëve – dhe të shqiptarëve në përgjithësi. Si do t'i përgjigjet atë ditë? Ndoshta, është më mirë të fillohet t'i jepet përgjigje që tani.