Nga Klodiana Lala*
Fildes, sot, plot 4 vite pa Ty. Ke lënë pas shumë dhimbje, po kaq dhe mungesë…. E jo vetëm aty ku është e ligjshme mungesa Jote, po edhe përtej, deri atje ku Ti ndoshta kurrë s’do ta mendoje as besoje! Mungon siç mungojnë ato pak gjëra të vlerta që i duhen jetës, të vertetës dhe të drejtës… Ato, të trija kanë nevojë për Ty, siç kanë dashuritë e tua të këtejshme dhe të andejshme! Njëra, ajo sublimja, atërorja të ndoqi! S’mundi të rrinte pa Ty… pikërisht momentin kur deshi te thyente heshtjen që mbante emrin tënd, të vërtetën tënde, të drejtën tënde! Pikërisht atë natë (do të rrëfehej në emisionin e koleges Eni Vasili), u thye edhe natë-dita e tij, e babait tënd Bynjaminit… Bashkë me rrëfimin që asnjeherë s’u ba publik, si një shenjë që do të përjetësonte gjithë skajbotën e humbjes së tij…
Kjo është letra e katërt që të shkruaj. Tre të tjerat i ruaj në arkivën time dhe kam një arsye të fortë përse e bëj. Mos ma kërko të ta rrëfej. Por, këtë do ta publikoj këtu te hapësira ime, tek ajo qe e kam për te dashurit e mi… Jam e bindur që do ta lexosh….
Fildes, më lejo të të them, që vajza të është rritur shumë. Është studente me nota të mira. Po bëhet e zonja e vetes. Një vajzë model. Edhe djali, është bërë i mbarë. Nuk e ke idenë se sa të jashtëzakonshëm që janë. Jetojnë të dy me gjyshen (nënën tënde). Ah, nëna, sa shumë vuajtje ka përjetuar. Por mbahet, për TY e fëmijët e tu.
Amelia, motra jote. Ajo, nuk mundet qoftë edhe për një moment të të harrojë. Jeton me Ty e për Ty. E kam takuar disa herë. Jemi ulur e kemi folur gjatë. Herën e fundit u pamë në një qendër tregtare. Erdhi me të shpejtë. Nuk më la të prisja.
“Më dhemb shpirti” – më tha – se di si mundem me jetu pa Desin. Ajo ishte busulla ime. Ishte shtylla ku mbështetesha. Njeriu i parë që kërkoja ndihmë, që i tregoja gjithçka”. Mu rrëfye për ty. Më tha sa shumë e doje jetën. Sa shumë e dojë punën. Se sa fort luftove të ishte pjesë e Sistemit të Drejtësisë, që vetëm drejtësi për TY nuk bëri. “Nuk mjaftojnë fjalët për të treguar se kush ishte Desi. Një grua e zgjuar, e dashur, këmbëngulëse, luftarake” – tha më zërin e mekur, e teksa fshiu lehtë lotët. Nuk mundet ta besojë sesi Ti nuk jeton më. Nuk gjen dot arsye për dramën që iu ndodhi. “Thonë që koha shëron plagë. Por, s’po ndodh kështu me mua. Sa vjen e dhimbja bëhet më e madhe”, mu gjegj Amelia. Sot, ajo do të niset drejt varrezave. Do të sjellë lule. Do të ulet te koka e varrit dhe do të bisedojë me Ty, si ngahera kur rrëfenit çdo sekret njëra-tjetrës. Më tregoi se, mezi priste të takoheshit së bashku. I nisnit bisedat aty, ku i kishit lënë. Mes trishtimit e dhimbjes më tha: “Më duket sikur po më plas zemra, ç’dreq jete paska qenë”.
Fildes, Ti nuk ishe dhe nuk je e vetmja grua që një i paburrë të mori jetën. Pasi ike ti e dashur, të paburrët kanë guxuar të vrasin prapë. Kanë vrarë pa arsye. Për kapriçio. Se e shohin gruan si pronë. Në Kosovë u vra Marigona. Një i paburrë, e rrahu barbarisht. I theu edhe gjymtyrët.
Fildes, mbase me shumë vonesë, por po të tregoj, se që ish-burri, i paburrë që të mori jetën, është dënuar me burgim të përjetshëm. I njëjti fat pret çdo burrë që guxon të marrë jetë. “Duhen edukuar djemtë”, më tha Amelia. Ka të drejtë. Edhe unë them duhet edukuar djemtë. Por nuk mjafton kaq. Besoj të kujtohet Fildes, kur i shpëtove atentatit të parë. E mban mend besoj, se në sa dyer trokite, duke shpresuar të të merrnin në mbrojtje. Por shteti, nuk të mbrojti dot. Ti u qëllove me plumba në mes të ditës, në një rrugë të mbipopulluar. Si Ti, edhe shumë gra të tjera, kanë klithur për ndihmë. Askush s’u është gjendur pranë. Fildes, unë vazhdoj raportoj për histori të grave të dhunuara, të vrara. Jetë njerëzore të humbura. Sot, ndihem keq. Sepse, ne si shoqëri po dështojmë për t’i mbrojtur gratë. Po i braktisim. Nuk mjafton vetëm të edukohen djem. Por, edhe shkolluar vajzat, emancipuar shoqëria. T’u jepet mundësi punësimi, të jenë të pavarura. Të forcohen institucionet, që gruaja të ketë ku të denoncojë. Sa herë takoj një të dhunuar, i them: Bëje për veten tende, për fëmijët e tu, për gratë e tjera: Denonco!
Të shkruaj pikërisht Ty, sepse denoncove. Guxove të përballeshe me vrasësin. Më vjen keq që s’të shpëtuam dot. Por, pusho në paqe, sepse je shembull, për gratë e vajzat. Iu mësove sesi të guxojmë për veten, të drejtën dhe jetën…
*Fildes Hafizi ishte gjyqtarja që u vra vite më parë nga ish-bashkëshorti i saj, Fadil Kasemi