Në kuadër të nismës së Ministrisë së Kulturës “Tetori i Librit”, Qendra Muzeore Durrës, organizoi në ambientet e Muzeut Arkeologjik, një takim me temë “Letërsia dhe qyteti”.
Takimi trajtoi çështje të ndryshme që lidhen me letërsinë e shkruar nga krijues te ndryshëm për qytetin e Durrësit dhe mundësitë që u ofrohen autorëve të rinj. Të ftuarit e këtij takimi ishin Pol Milo dhe Rei Hodo, dy krijues të rinj, të talentuar nga Durrësi, të cilët e kanë reflektuar lidhjen e tyre me qytetin në një mënyrë mjaft të spikatur dhe origjinale.
Antigoni Gjergji, specialiste edukimi në Qendrën Muzeore Durrës tha se aktiviteti kulturor kishte për qëllim “të trajtonte disa aspekte të raportit të letërsisë me qytetin dhe veçanërisht me një nga komponentët më të rëndësishëm dhe më të qenësishëm identitarë të qytetit bregdetar, siç është trashëgimia historike dhe arkeologjike e tij”.
Ndërkohë, dy krijuesit e rinj Pol Milo dhe Rei Hodo vunë theksin gjatë fjalës së tyre në rëndësinë që i kanë kushtuar Durrësit në veprat e tyre dhe e konsideruan këtë aktivitet një ogur të mirë për prezantimin e krijuesve të rinj me lexuesit potencialë dhe njëkohësisht uruan që takime të ngjashme të zhvillohen në të ardhmen.