Një mbrëmje kushtuar letërsisë dhe turizmit, ku e ftuar nderi ishte shkrimtarja e njohur Helena Kadare.

Kjo ishte ajo çfarë ofroi mbrëmja e kësaj të enjteje në Muzeun Arkeologjik të Durrësit, ku bashkëshortja e autorit të famshëm Ismail Kadare iu përgjigj pyetjeve të shkrimtarit durrsak Bashkim Hoxha, por edhe publikut në sallë duke zhvilluar një bashkëbisedim të ngrohtë e duke rrëfyer të thënat dhe të pathënat e çiftit të famshëm të letërsisë shqipe. 

Kryebashkiakja e Durrësit, Emiriana Sako pasi falenderoi Helena Kadare nënvizoi se kjo është vetëm njëra nga netët që do t’i kushtohen artit dhe turizmit në qytetin bregdetar.

Durrësi i goditur nga dy fatkeqësi natyrore, tërmeti dhe pandemia, duhet të rinisë të kthejë vëmendjen nga arti, kultura dhe letërsia dhe pikërisht për këtë fakt ai është zgjedhur këtë vit për të qenë kryeqytet i librit. 

Gjatë mbrëmjes letrare, autorja dhe përkthyesja Helena Kadare, e cila u rikthye në një takim me lexuesit durrsakë pas 9 vitesh mungesë, dha lajmin se çifti i shkrimtarëve kishin zgjedhur përfundimisht Shqipërinë për të jetuar. 

E lodhur nga jeta në Paris, i cili humbi shkëlqimin prej kufizimeve të pandemisë, autorja tregoi se tashmë e ndan jetën mes Tiranës dhe Durrësit. Qytetin bregdetar e ka zgjedhur si vendstrehim pikërisht në këto ditë vape përvëluese.

M.B.