Një shtyllë në start të ndeshjes dhe një eurogol. Ky ishte bilanci për Teutën në përballjen e kthimit me Ventspils, por pa ia dalë që skuadra durrsake të kalonte në turnin e dytë të Ligës së Europës. Sulmuesi Darko Nikaç komenton paraqitjen e Teutës, por edhe synimet me skuadrën bregdetare.

Darko, çfarë nuk shkoi me Ventspils?

Teuta zhvilloi një ndeshje të mirë, por dhe kundërshtari na e beri të vështirë, pasi u mbyll shumë në mbrojtje. Nuk u rrezikuam në asnjë moment. Ajo që na penalizoi ishte se nuk i shënuam rastet që na u dhanë. Luajtëm mirë, por nuk futëm gjë në xhep. Ajo ndeshje ka kaluar dhe tani do përqendrohemi te nisja e sezonit të ri dhe të grumbullojmë sa më shumë pikë dhe të marrim suksese të reja.

Pra, sipas jush, kundërshtari nuk e meritonte ta kalonte këtë raund?

Nuk është e rëndësishme vetëm të fitosh, por edhe si fiton. Teuta bëri dy ndeshje mjaft të mira, ndërsa kundërshtari vetëm golat, kjo u pa në takimin e dytë ku më shumë vononin lojën duke u shtrirë në tokë, sesa të luanin futboll. Ky ishte fati ynë dhe duhet ta pranojmë. Duhet të kishim dhe pak fat, pasi është pjesë e futbollit.

Diçka rreth ambientit që keni gjetur te Teuta. A jeni përshtatur siç duhet me ekipin dhe lojën, apo ju duhet akoma kohë?

Nuk më duhet fare kohë, pasi jam përshtatur që në fazën përgatitore, ku stafi dhe shokët ma bënë shumë të lehtë.

Cilët janë objektivat personalë të Nikaç për të ardhmen?

Objektivi im është që dita-ditës të jap më të mirën në stërvitje dhe në ndeshjet zyrtare. Të përmirësohem dhe të kem sukses me Teutën, duke fituar trofe. Shpresoj që të arrij të luaj dhe të shënoj sa më shumë në këtë kampionat, i cili do të jetë shumë i fortë.

Si e shikoni fillimin e sezonit e ri dhe çfarë mund të bëjë Teuta?

Shpresojmë të bëjmë mirë në Kupë dhe kampionat. Kemi cilësinë skuadër që të arrijmë rezultatet për të përmbushur objektivat që ka klubi. Dëshira ime është që ekipi të fitojë një prej trofeve, Kupën ose titullin kampion, duke marrë edhe biletën për në Europë. Do të ishte diçka shumë e bukur ta mbyllësh sezonin me një trofe.

Me cilin prej futbollistëve keni zënë më tepër shoqëri te Teuta?

Të gjithë janë shokët e mi, me Kallakun pak më shumë, por të gjithë janë djem fantastikë.

Çfarë di nga gjuha shqipe dhe ç’ka keni mësuar deri më tani?

Mund të them që jo edhe shumë. Mirëdita, Faleminderit, ndoshta edhe disa fjalë të tjera.