Letonia po shqyrton mundësinë e një marrëveshjeje për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë me Kosovën, duke ndjekur shembullin e Shqipërisë dhe Kroacisë.
Gjatë vizitës së presidentit letonez në Kosovë, presidentja Vjosa Osmani i kërkoi atij të shqyrtojë këtë mundësi. I pyetur nga gazetarët nëse Letonia është e gatshme për një marrëveshje të tillë, ai tha se kjo çështje do të diskutohet me Ministrinë e Mbrojtjes në vendin e tij.
“Kur të kthehem atje, do ta ndajë dhe do të shohim se çfarë bashkëpunimi do të bëjmë në fushën e mbrojtjes. Sigurisht se do të punojmë dhe diskutojmë me ministrinë e mbrojtjes në këtë drejtim,” u shpreh ai.
Presidenti letonez gjithashtu kërkoi heqjen e masave të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës dhe shprehu mbështetje për anëtarësimin e saj në Këshillin e Evropës dhe procesin e integrimit evropian.
Ndërkohë, Osmani u pyet për takimin e saj me emisarin e BE-së për dialogun, duke theksuar se i kishte paraqitur në detaje vërejtjet mbi draft-statutin e BE-së për Asociacionin. Sipas saj, deri më tani në dialog nuk është trajtuar parimi i barazisë mes palëve.