Kryeministri Edi Rama ka reaguar për letrën që Presidenti Ilir Meta i dërgoi Komisionerit për Zgjerimin, Oliver Varheji, në të cilën akuzon mazhorancën se kërkon të kapë Gjykatën Kushtetuese.
Rama shkruan në Twitter se ndodh për herë të parë që Presidenti i një shteti dërgon letra në zyrat e Bashkimit Europian kundër vendit të tij, dhe sipas kreut të qeverisë kjo gjë ndodh për shkak të veprimit të Reformës në Drejtësi.
POSTIMI I PLOTË
Për herë të parë që nga krijimi i Bashkimit Europian një president çon letra në Bruksel për të minuar urën mes Europës e vendit të tij! Për herë të parë në historinë e zgjerimit të BE një vend kandidat ka Brukselin PRO dhe Presidentin e vet KUNDËR vendit e KUNDËR vetë Brukselit..
Sa nisi terapia intensive e Reformës në Drejtësi nisi dhe reaksioni me temperatura të larta në organizmin e shtetit të sëmurë prej kancerit të korrupsionit! Përpëlitjet e ethshme me bojkote, molotovë, dekrete janë thjesht pasoja të intensitetit të terapisë mbi kancerin..
Shqipëria mund ta marrë mund të mos e marrë PO-në që meriton nga Këshilli Europian,po ama kurimi deri në fund i sëmundjes dërrmuese që i ka ngrënë trupin e shpirtin prej 30 vjetësh,as mund dhe as do ndalet dot me kriza të turpshme të provokuara nga terapia e Reformës në Drejtësi!





