Përballë terrorit në zemër të Evropës, gazetarja franceze, Béatrice Delvaux (56 vjeç), ka ndjerë nevojën për t’i kërkuar falje fëmijëve të saj dhe të gjithë fëmijëve të tjerë që janë rritur me idenë se lufta në Evropë kishte përfunduar dhe tashmë ndodhen përballë terrorit
“Këtë mëngjes, duke kaluar përmes qytetit tonë, nga veriu në jug, bërtita. Nuk mund të pushoja së qari. Doja të shkulja veshët. Nuk mund t’i dëgjoja dot më sirenat. Ka ardhur momenti të kërkoj falje, të kërkoj ndjesë. Janë 20 vjet që të gënjej. Edhe unë i kam besuar gënjeshtrat e mia për 20 vjet. Të kam thënë se kjo ishte bota e mundësive e udhëtimeve të mëdha. Isha e bindur se ta kishim kursyer luftën, duke e çuar në librat e historisë dhe në anekdotat që gjyshi dhe gjyshja të kishin treguar. Ishim shumë të sigurt se i kishim varrosur demonët që ndërtuan kampet e përqendrimit, gjenocidet…”- shkruan gazetarja.
Delvaux shprehet se ndihej optimiste për faktin se këto dekada kishin ndodhur ndryshime drastike që të falnin siguri.
“Nuk doja që ti shikoje ata trupa të shqyer, apo copat e mishit të shpërthyera në stacionin Maelbeek. Maelbeek, dy hapa nga shtëpia ku banon ti, në qendër të Brukselit. Nuk doja që ti të mendoje se mund të vdisje në qytetin tënd dhe që pafajësia jote të ndalej në atë datë, 22 mars 2016, në rripat me eksploziv, detonatorët që mbanin në duar ata dy djem që kishin moshën tënde.”
Shqetësimi i gazetares, si çdo nënë, lidhet me të ardhmen e fëmijëve të saj. Ajo shkruan se shpreson që ata të jenë të fortë për të luftuar mendërisht, duke shpresuar se nuk do të detyrohen të luftojnë edhe fizikisht.
“Lufta? Refuzoj ta them këtë fjalë, refuzoj të them se jemi pjesë e luftës. Refuzoj të bie pre e urrejtjes. Dhe gjithçka që mund të të ofroj sot është të të qëndroj pranë për të të mbrojtur. Duhet të bëhemi të fortë biri im. Duhet të jemi rezistente vajza ime. Pas zemërimit dhe trishtimit, erdhi momenti të të kërkoj të falur, të të kërkoj ndjesë. Por dua edhe të të them se duke të pasur përkrah meje, më detyron të ngre kokën dhe të besoj tek e nesërmja”- shkruan gazetarja.