Ministri i Drejtësisë Ylli Manjani ka reaguar pas letrës së Saimir Tahirit në lidhje me gjyqtarin e Vlorës, që sipas ministrit të Brendshëm, ai kishte liruar nga burgu një person të arrestuar për armëmbajtje pa leje.
Përmes një reagimi për mediat, Ministria e Drejtësisë bën me dije se Manjani ka urdhëruar verifikimin e veprimtarisë gjyqësore të gjyqtarit të Gjykatës së rrethit Vlorë, Laurent Fuçia.
Ministria e Drejtësisë shton më tej se ky institucion administron dhe vetë të dhëna të marra nga shumë agjenci ligjzbatuese si dhe nga vetë qytetarë të Vlorës mbi sjellje jo profesionale në Gjykatën e Vlorës.
Në këtë kontekst, përveç verifikimit të rastit të ngritur nga ministri Tahiri, Ministria e Drejtësisë thekson se do të nxisë së bashku me inspektoratin e KLD-së një inspektim të përgjithshëm në këtë gjykatë me qëllim vendosjen e saj në rrugën e paanësisë dhe të ligjit.





