"Mos u mërzisni, mendoni për njerëzit që humbën të afërmit". Kështu shkruan një 7-vjeçare në letrën e saj për xhaxhain, i cili humbi shtëpinë në Kinetta si pasojë e zjarreve që përfshinë Greqinë ditët e fundit.

Vogëlushja kishte shkruar disa rreshta me fjali ngushëlluese dhe plot ngrohtësi drejtuar xhaxhait të saj, ku i tregonte se ai nuk duhet të mërzitej, por të mendonte se shumë njerëz kanë vdekur dhe kanë humbur të afërmit e tyre.

"E di shumë mirë që ju keni vetëm një dhomë dhe kuzhinën. Do ta bëjmë pjesën tjetër dhe më të bukur. Mos u mërzisni, mendoni se kanë humbur jetë njerëzish", shkruante mes rreshtave vajza. Me këtë letër e cila preku zemra e shumë njerëzve, ajo u përpoq të mbështeste xhaxhain e saj.